Vrau dy të rinjtë në 1997 se i përplasën Benzin 240-ç, Prokuroria e Tiranës kërkon 25 vite burg për ish-policin pas ekstradimit nga Amerika (Ekzekutimi që tronditi kryeqytetin)

Tomor Çela, një ish-polic i ekstraduar nga Amerika tre vite më parë, rrezikon të dënohet me 25 vite burg. Ai akuzohet për vrasjen e dy të rinjve në vitin 1997, në mes të Tiranës, një ngjarje e nisur për motive banale që tronditi kryeqytetin.

59 vjeçari nga Tirana që menjëherë pas ngjarjes u fsheh në Amerikë për 25 vjet, ishte punonjës policie dhe me kallashnikovin që e mbante në bagazh, vrau dy të rinjtë Ledian Hoxha dhe Elton Dani, pasi i përplasën makinën në rrugën “Bajram Curri”.

Prokuroria e Tiranës ka dhënë pretencën dhe kërkon 25 vite burg për Tomor Çelën, si i akuzuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Vrau dy të rinjtë në 1997 se i përplasën Benzin

Shpallja e Tomor Çeles, nga Policia e Shtetit

Deri tre vite më parë kur u deportua nga Amerika, foto e 59 vjeçarit është publikuar dhe nga vetë Policia e Shtetit, si një ndër personat më të kërkuar nga shteti shqiptar. Madje, në njoftim, ai shfaqet me uniformën e Policisë, të cilën e mbante veshur në vitin 1997 kur kreu vrasjen.

Si ka ndodhur ngjarja 25 vite më parë, në Tiranë

Më 27 Nëntor 1997, Tomor Çela ishte duke lëvizur në rrugën “Bajram Curri” në kryeqytet me mjetin e tij, një Mercedes Benz 240-ç, kur është përplasur me një makinë tjetër. Mjeti i dytë drejtohej nga i riu Ledian Hoxha dhe pasagjer ishte shoku i tij, Elton Dani.

Dy shoferët kanë nisur të debatojnë pas aksidentit. Ish-polici Tomor Çela ka nxjerr armën e zjarrit dhe ka qëlluar drejt dy të rinjve, duke i lënë të vdekur në vend, shkruan newsbomb.al. Menjëherë ai është larguar nga vendi i ngjarjes, bashkë me të vëllanë.

Vrau dy të rinjtë në 1997 se i përplasën Benzin

Tomor Çela, momenti i ekstradimit më 2 Qershor 2022

Në vitin 2009, Gjykata e Tiranës e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 23 vite burg. Ky vendim i shkallës së parë është ankimuar në Apel, por togat e zeza nuk kanë ndryshuar vendim, duke lënë në fuqi dënimin me 23 vite burg.

Dosja është dërguar në shkallën e fundit në drejtësisë, në Gjykatën e Lartë, e cili në vitin 2011 ka kërkuar që ajo të rigjykohet.

Si rezultat i një operacioni 1-vjeçar, të kryer në bashkëpunim nga Interpol Tirana me Zyrën e Hetimeve Kriminale pranë Shërbimit Diplomatik të Sigurisë në Ambasadën e SHBA në Tiranë (DSS), më 2 Qershor 2022 u bë i mundur deportimi nga Amerika, për t’u përballur me organet shqiptare të drejtësisë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT