VIDEO/ Prej ditësh vuajti në çarkun e vendosur në pyll, gjendet i ngordhur ariu i murrmë në Tepelenë, autoritetet nuk arritën ta shpëtojnë

Një ari i murrmë, u gjet i ngordhur dje në pyjet e fshatit Xhafaj, Tepelenë, i kapur në një çark të dyshuar të vendosur nga banorë të zonës për të mbrojtur të mbjellat e tyre dhe bagëtitë nga kafshët e egra.

Ka qenë Policia e Gjirokastrës ajo e cila ka bërë me dije se pas denoncimit të bërë nga JOQ, ku banorët kërkuan ndihmë duke theksuar se kafsha ndodhej e bllokuar prej më shumë se shtatë ditësh, shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes.

Në vendin e quajtur “Thanzë”, ata konstatuan ariun e ngordhur, i kapur në këmbë nga çarku. Specialistët për Hetimin e Krimeve kanë kryer veprimet e nevojshme dhe në bashkëpunim me Prokurorinë, po punojnë për identifikimin e shtetasit ose shtetasve përgjegjës.

“Shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj kanë shkuar në vendin e quajtur “Thanzë”, në afërsi të fshatit Xhafaj, dhe kanë konstatuar aty, një ari të ngordhur, i kapur në këmbë nga një çark që dyshuar se është vendosur nga banorë të zonës, për të mbrojtur të mbjellat dhe bagëtitë nga kafshët e egra. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Memaliaj kanë kryer veprimet për rastin dhe në bashkëpunim me Prokurorinë, po punojnë për identifikimin e shtetasit/ve përgjegjës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Kujtojmë se një ditë më parë banorët e zonës përmes një video të publikuar në JOQ ku dhe njoftuan se ariu i murmë kishte rënë pre e një çarku. Ata i bënë apel organeve kompetente për ndërhyrje të shpejte, me qëllim për të mbrojtur jetën e kafshëve të egra dhe për të ndaluar praktika të tilla të paligjshme në pyjet e Shqipërisë.

“Ju lutem postojeni sepse ka me shume se 7 dite qe ky ari ndodhet ne kete gjendje dhe askush nuk reagon. Eshte kapur nga dy banore te fshatit Xhafaj Tepelene te adm Buze. Keta njerz te pa shpirt mbajn per me shume se 7 dite kete ari te vogël. Ju lutem organeve kopetente te ragojn para se ai te ngordh”, thuhet në denoncimin e bërë nga qytetarët. (denoncimi i paredaktuar).

Back to top button
LAJMET E FUNDIT