U kthye nga Londra për t’i shërbyer Kosovës, prishtinalitë i besojnë Përparim Ramës, e votojnë dhe për një mandat tjetër në kryeqytet

Arkitekti Përparim Rama do të jetë edhe për një mandat tjetër kryetar i Bashkisë së Prishtinës, pasi prishtinalitë i kanë dhënë besim në garën me balotazh, për ta çuar kryeqytetin në një proces të ri transforimi.
Katërvjeçari i kaluar ka qenë sfidues për të, pasi Vetëvendosja në qeveri me Albin Kurtin u përpoq me çdo kusht ta pengonte, duke i ndaluar fondet për kryeqytetin, për shkak se ai ishte zgjedhur nga LDK. Madje, i kërkuan dhe të largohej nga Prishtina.
Përparim Rama qëndroi, punoi dhe u përshtat me rrethanat, kurse banorët e Prishtinës e shihnin përditë ndryshimin përpos pengesave. Ai vendosi të linte Londrën, ku emigroi që 16 vjeç, dhe u rikthye në Kosovë për të dhënë kontributin e tij.
Ai u lind në Prishtinë më 20 janar 1976 dhe para se t’i hynte garës për kryetar të Prishtinës, ishte i njohur për veprimtarinë e tij arkitekturale në disa vende të botës si Angli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zvicër, Çeki, Shqipëri dhe vende të tjera.
Në vitin 1992, në moshën 16-vjeçare u shpërngul në Britani të Madhe ku përfundoi edhe studimet për arkitekturë. Përparim Rama ka përvojë mbi 20 vjet në projekte të ndryshme në banesa e hotele, dhe në vitin 2012, në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, përfaqësoi Kosovën për herë të parë në histori me veprën e quajtur “Punuesi i filigranit”.
Katër vite më parë, në maj të vitit 2021 kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e prezantoi Përparim Ramën si kandidatin e kësaj partie për të parin e Prishtinës. Edhe atëkohë, kryeqyteti shkoi në balotazh dhe ai mori besimin e qytetarëve.
Përparim Rama është i martuar dhe ka tre fëmijë, të cilët jetojnë të të gjithë bashkë me nënën në Prishtinë.