“Truri” i UÇK-së në Tiranë, Xhavit Haliti vendos pllakatë në derën e shtëpisë tironse që u kthye në bazë për luftëtarët e lirisë së Kosovës

“KJO SHTËPI KA QENË BAZË E LUFTËS SË UÇK-SË GJATË VITEVE 1997 – 1999”
Ky është shënimi mbi pllakatën e vendosur në hyrjen e shtëpisë së familjes Porodini në Tiranë, e cila gjatë viteve të luftës së Kosovës, është kthyer në një strehë të sigurt e bazë për djemtë dhe vajzat e lirisë.
Në këtë moment të veçantë, në Tiranë ka ardhur dhe vetë Xhavit Haliti, një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe “truri” i ndërlidhjes së saj me Tiranën dhe botën, në periudhën e luftës.
Lajmin e bën të ditur gazetarja Anila Jole, e cila thotë se në derën e apartamentit të Kristaq Porodinit (bashkëshorti i motrës së saj) u vendos pllakata që informon se kjo shtëpi në Tiranë ka shërbyer si bazë e Luftës së UÇK-së gjatë viteve 1991-1999.
“Këtë fakt kaq të rëndësishëm, atëherë e dinin shumë pak njerëz, sepse koha dhe rrethanat kërkonin heshtje, por unë isha një prej njerëzve që isha shumë pranë dhe e kam parë më sytë e mi, sesi shtëpia e motrës u kthye për shumë vjet në strehim të sigurt të veprimtarëve për lirinë e Kosovës, të cilët më vonë u bënë ushtarët dhe drejtuesit e UÇK.
Kam parë të hynin aty, të bënin takime, të ushqeheshin e të flinin, dhjetëra djem e vajza që para luftës përndiqeshin nga regjimi serb, e më pas luftuan, disa nga të cilët edhe u vranë…
Vendosja e kësaj pllakate në derën e shtëpisë së motrës dhe kunatit tim është një moment i veçantë për ta dhe të gjithë ne, sepse nderon sakrificën dhe kontributin disa vjeçar të familjes Porodini për lirinë e Kosovës (përfshirë prindërit e Kristaqit që sot nuk jetojnë më). Krenaria ime është e madhe për sakrificën dhe përkushtimin e familjes së motrës sime në kauzën që solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, shkruan gazetarja Anila Jole.