“Më 2 mars shqiptarët të rimarrin sovranitetin”/ Për çfarë sovraniteti e ka fjalën Presidenti?

“Sovraniteti i përket popullit”. Kjo është një nga shprehjet më të dëgjuara e populiste të politikanëve sa herë ka ndonjë fushatë elektorale ose sa herë janë në opozitë e duan të duken mirë në sy të popullit.
Në fakt të njëjtën shprehje po artikulon këto ditë edhe Presidenti i Republikës, tek është disa ditë para zhvillimit të asaj që ai e ka quajtur “besëlidhja” e 2 marsit.
Ndaj edhe kjo shprehje ka kuptim tërësisht populist, pasi në aspektin kushtetues dhe atë demokratik populli e ka humbur prej kohësh sovranitetin. Kjo ndodh që në momentin kur nuk jetësohet vullneti i popullit. Pra flasim këtu përshembull me mënyrën sesi zgjidhen deputetët që është një nga mënyrat klasike të ushtrimit të sovranitetit.
Kryetarët e partive ja kanë marrë sovranitetin popullit duke i caktuar ata se kë duhet të zgjedhë populli për deputetë. Apo edhe në ushtrimin e sovranitetit direkt me anë të referendumeve.
Edhe kjo lloj mënyre e ushtrimit të sovranitetit është thuajse e pamundur, në rrethanat kur Ligji “për Referendumet” pamundëson zhvillimin e tyre.
Pra sovraniteti për të cilin flet Meta është thjeshtë një tezë politike dhe jo një kauzë reale që qytetarët mund ta fitojnë më 2 mars.