Shteti do të marrë në dorë REZERVAT e naftës, ministri Karakaçi njofton hapjen e Agjencisë më të re: Do ta mbajmë ne, në depot tona

Pas fjalës së kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimajt, gjatë takimit me furnizuesit të naftës fjalën e mori ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.

Karakaçi theksoi gjatë fjalës së tij se bllokimi i Ngushticës së Hormuzit nuk ka ndikuar në furnizimin e vendit, teksa bëri me dije më tej se brenda pak javësh do të miratohet ligji i ri për rezervat shtetërore dhe do të krijohet një agjenci e posaçme shtetërore, e cila do të mbledhë  rezervat për 90 ditë.

“Ndërkohë dua të theksoj dhe dy elemente që ministria ka një plan afatgjatë. ka dy vite që punon për ligjin e ri të rezervave, i cili është konsultuar me publikun para disa muajsh dhe është në fazën përmbyllëse për miratim. Ne besojmë që brenda 2-3 javësh do ta kemi të miratuar dhe krijimin e një agjencie të posaçme dhe rezervat nuk do mbahen nga subjektet, por nga agjencia shtetërore, e cila do t’i depozitojë në depot e saj ose të marra me qira, duke siguruar një depozitë 90-ditore”, tha ministri, i cili më tej shtoi se çmimi i karburantit mbetet i luhatshëm për shkak të modelit të biznesit dhe çmimeve ndërkombëtare.

Pjesë nga fjala e ministrit Karakaçi:

Secilës nga kompanitë hidrokarbureve i kemi dërguar njoftim për detyrimin e rezervës që duhet të mbajnë, e cila është përllogaritur në bazë të xhiros ditore të vitit të shkuar. Po ashtu, grupet në terren të ministrisë janë njoftuar për të bërë të gjitha verifikimet brenda datës 31 mars. Patjetër subjektet e kanë për detyrë që të mbajnë 30 ditë rezerva dhe pjesën tjetër të 60 ditëve në mekanizma të ndryshme. Bllokimi i Ngushticës nuk ka impaktuar qarkullimin e hidrokarbureve në vendin tonë pasi kanalet e furnizimit janë përmes mekanizmave të tjera dhe rrugëve të tjera detare.

Ndërkohë dua të theksoj dhe dy elemente që ministria ka një plan afatgjatë. ka dy vite që punon për ligjin e ri të rezervave, i cili është konsultuar me publikun para disa muajsh dhe është në fazën përmbyllëse për miratim. Ne besojmë që brenda 2-3 javësh do ta kemi të miratuar dhe krijimin e një agjencie të posaçme dhe rezervat nuk do mbahen nga subjektet, por nga agjencia shtetërore, e cila do t’i depozitojë në depot e saj ose të marra me qira, duke siguruar një depozitë 90-ditore.

Ndërkohë, struktura e çmimit të karburantit në pikën fundore në Shqipëri është e tillë që vlera e importit zë pjesën më të madhe, vlera e importit ka luhatshmërinë e vet për shkak të krizës, por edhe modeli i biznesit i krijuar nga ju është që nuk keni produkte afatgjata, por me kontrata që paguhen në momentin e dorëzimit sipas ditës përkatëse dhe çmimit të bursës. Kjo e bën çmimin të luhatshëm në Shqipëri. Ndërkohë, çmimi mesatar i shitjes me pakicë ka qenë 161.7 lekë në pikën fundore, kjo tregon që ka një fitim bruto 13-14 lekë në të gjithë zinxhirin e tregtimit të karburantit, i cili është një marzh i pranueshëm.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT