Pretendoi se nuk ka gisht në atentatin ndaj Arjan Ndojës ku u VRA 23-vjeçari Andi Maloku! Gjykata e Lartë rrëzon Redjan Rrajën, mbetet përgjithmonë prapa hekurave

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi burgimin e përjetshmë për Redjan Rrajën i cili akuzohet për atentatin në mbikalimin e Shkozetit të ndodhur në 2019, ku humbi jetën i riu Andi Maloku.
Burime për mediat bëjnë me dije se Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka rrëzuar rekursin e të akuzuarve dhe gjithashtu ka lënë në fuqi dënimin me 35 vite burgim për Arjol Halilajn, i cili akuzohet për të njëjtën ngjarje.
Nga ana e Gjykatës së Lartë është theksuar se rekursi i bërë nga ana e dy të akuzuarve është i pabazuar. Ndaj u la në fuqi vendimi i 4 qershorit 2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Vendimi për burgim të përjetshëm në lidhje me atentatinne ndodhur në mbikalimin e Shkozetit është shpallur nga trupa gjykues e cila përbëhej nga: Sokol Binaj, Ilir Panda dhe Sandër Simoni.
Kujtojmë që më 1 nëntor 2019, automjeti ku po udhëtonin Arjan Ndoja, shoferi i tij Andi Maloku dhe Aleksandër Laho (alias Landi Muharremi) u qëllua me breshëri kallashnikovi te mbikalimi i Shkozetit. Ndoja dhe Laho arritën t’i shpëtonin vdekjes, ndërsa shoferi Maloku ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda në datën 7 nëntor.
Arjan Ndoja ka folur për herë të parë në lidhje me atentatin e bërë ndaj tij më 1 nëntor të 2019, në zonën e njohur si “mbikalimi i Shkozetit”, duke hedhur poshtë pretendimet se ngjarja është realizuar nga nxitje politike nga “kundërshtarët”.
“Nuk ka nxitje politika që t’i thotë dilni e qëlloni me armë sepse reagimi im do ishte personal ndaj Edi Ramës dhe familjes së tij. Por ju e keni parë vetë që figura e një figure të lartë përmendet në Parlament zakonisht është precedent ose përfundon në burg ose e pikasin” u shpreh Ndoja në intervistën e dhënë për Dekalog, në Dritare.Tv
Në fjalën e tij Ndoja nënvizoi se atentati ishte lëvizje e gabuar sepse iu mor jeta një të riu i cili nuk kishte lidhje fare me ngjarje konfliktuale pasi ai ishte vetëm shofer dhe jo person që kishte konflikte.