“Mjekët janë të pambrojtur”, Shehu: Duhen testime në masë, qytetarët të përdorin maska

Në një lidhje direkte për ABC News, ish deputeti i PD, Tritan Shehu foli për infektimin e mikut të tij, mjekut reanimator Roland Xhaxho.
Shehu tha se gjendja e tij për momentin është e stabilizuar. Ndërkohë, ish-ministri i Shëndetësisë u ndal edhe tek situata e shkaktuar nga koronavirusi në vend.
Shehu tha se mjekët janë të pambrojtur për shkak të mungesës së pajisjeve, dhe kjo sjell edhe infektimin e tyre. Ndërkohë theksoi se është nxjerrë jashtë loje edhe mjeku i familjes.
“Mjekët punojnë në kushte të pambrojtura ose në kushte minimale. Mjeku i familjes është shumë i rëndësishëm, pavarësisht se tek ne nuk po shfrytëzohet. Mjeku i familjes është një nga më të rrezikuarit sepse nuk është i mbrojtur. Unë e shikoj me rrezik shtimin e të infektuarve të personelit mjekësor. Mjeku i familjes qëndron akoma i pambrojtur. Mjeku i familjes është lënë jashtë në mënyrë absurde duke lënë gjithçka te 127 që nuk mund ti bëjë dot të gjitha”, tha Shehu.
Po ashtu ai bëri thirrje se duhet të shfrytëzohen edhe spitalet e tjerë periferike dhe fokusi të mos jetë vetëm në Tiranë. Shehu nënvizoi se është i rëndësishëm testimi në masë i qytetarëve, dhe aprovoi edhe përdorimin e maskave.
“Duhet të shfrytëzohen edhe spitalet periferike, për të mos i sjellë të gjithë në Tiranë. Kurba është e butë por askush nuk e di si do të jetë nesër. Nëse bëhet agresive struktura këtu nuk e përballon dot. Prandaj është e domosdoshme për tu përgatitur për më të keqen. Kjo lidhet me disa gjera: Testimi në masë i popullsisë, mjeku i familjes dhe shfrytëzimi i reparteve më të gjera. Dhe jo që gjithçka ta lokalizojmë në Tiranë. Elementi bazë tani është test, test dhe ajo që po nxjerrin amerikanët tani, maskë maskë, maskë”, deklaroi ai. /abcnews.al