PARA PËR KOMBËTARE? SHIKONI MEHEN DHE KUKELIN
Në një intervistë për Gazetën “Sporti Shqiptar”, Lorik Cana rrëfehet për të gjitha zhvillimet në kombëtaren shqiptare, për deklaratat se për të hyrë aty kërkohen para,e për shumëçka tjetër
Lorik nga ta nisim, nga ndeshja në Zvicër, apo fjalët që janë përhapur lidhur me deklaratën e babait të Granit Xhakës?
Jam i bindur se tifozët shqiptar duan më shumë skuadrën kombëtare se sa thashethemet, pse të mos e nisim nga ndeshja me Zvicrën.
Ok. Para 10 vjetësh Brigel, në atë kohë trajner i kombëtares, duke parë një video ka deklaruar se është mëkat që skuadra jonë të pësojë gola të tillë kaq fëminorë. I referohet ndeshjes në tiranë kundër Anglisë. Edhe me Zvicrën keni gabuar ju, në momentin që shënoi Shaqiri?
Eshtë një problem, janë vendosje të gabuara, të cilat sollën edhe golin nga ana e kundërshtarit. Deri në ato momente kundërshtari nuk kish ardhur asnjë herë në portë. Megjithatë një ndeshje futbolli vendoset edhe nga episode, të cilat për fatin tonë të keq, këtë herë ishin kundër.
Ne duhet të jemi shumë me tepër herë agresivë, për të fituar dyluftimet me kundërshtarin, megjithatë nuk mendoj se luajtëm keq. Përkundrazi në pjesën e dytë kem qenë superiore.
E drejtë, në pjesën e dytë shumë gjëra ndryshuan, në fakt, çfarë ndryshoi?
Asgjë më shumë se sa kaluam stresin dhe luajtëm siç duhet të luanim. Dëgjo nuk dua të fajësoj askënd, por më shumë mbrojtjen, në dy ndeshjet e para janë gjuajtur në portën tonë 5 topa, dy portieri i ka pritur, tre kanë përfunduar në gol. Natyrisht nuk është faji i Saimirit, por duhet të kemi më shumë kujdes.
Në rastin e penalltisë me Zvicrën e kemi “përkëdhelur shumë topin, duhet ta nxirrnim sa më shpejt nga zona. Këto janë gabime. Por ka dhe një fakt tjetër, ne kemi gjuajtur në këto dy ndeshje mbi 10 herë në portën kundërshtare, por kemi shënuar vetëm 3 gola.
Kjo tregon se duhet shumë më tepër përqëndrim në mbrojtje, sepse një rast i humbur nuk të jep fitoren, ndërkohë që një gol në portën tënde të realizon humbjen. Janë raste të përsëritura, por që në futboll ndodhin. Jo më kot etiketohet se një ndeshje mund të vendoset edhe nga episode të veçuara të 90 minutave të ndeshjes.
Po loja e skuadrës?
Përse të mos e quaj të mirë. E vërtetë që u zgjuam pas golit të Zvicrës, por deri në ato momente nuk ishim rrezikuar thuajse asnjëherë. Në fund të fundit futbolli vendoset edhe nga momentet, ku një herë na buzëqesh ne fati e një herë kundërshtarit.
Në pjesën e dytë kemi rrezikuar shumë herë portën zvicerane, por përsëri u ndëshkuam nga një gol, ose më saktë një nga një penallti totalisht e evitueshme, por ajo e çoi ndeshjen në 2-0. Pas këtij momenti, e përsëris se takimi ka qenë shumë i shkëputur nga mënyra e zhvillimit të lojës, por për ne u bë shumë e vështirë. Në fund të fundit humbmm ndaj një kundërshtari që etiketohet edhe si favoriti kryesor për tu kualifikuar direkt
Tani ju presin dy ndeshje në Shqipëri?
Natyrisht që do luajmë ndryshe. Ne kemi zotëruar lojën në të dy takimet e para për më shumë se 70 minuta, por nuk jemi keq, kemi tri pikë, ndërkohë që dy ndeshjet e ardhshme në fushën tonë janë shumë deçizive për vazhdimësinë e kësaj skuadre.
Me Islandën dhe Slloveninë?
Dy ndeshje të kalueshme, dy skuadra që nuk kanë asgjë më shumë se ne, por njëkohësisht edhe dy kundërshtarë shume të vështirë. Mbase tetori do bëjë edhe bilancin e plotë se deri ku mund të shkojë kombëtarja jonë.
Për ju deri ku mund të shkojë?
Deri aty sa të jetë më e mira. Përse të mos jemi edhe ne deri në fazën e play off, ose më e mira në Botëror 2014. Por ti marrim gjerat me kujdes. Të flasim pas ndeshjeve të tetorit, sepse ato janë shumë të rëndësishme
Si e ndjeni veten kapiten i kombëtares shqiptare?
Shumë normal si kapiten e i një kombi të tërë.
Çdo të thotë kjo?
Dëgjo, Shqipëria është një komb. Nuk janë komb shqiptarët e Maqedonisë, as ata të Malit të Zi, dhe as të tjerë, kombi ka vetëm një emër Shqipëri dhe unë ndjehem krenar që jam kapiten i këtij kombi të tërë, pra duke i përfshirë të gjithë, natyrisht në futboll.
Si i gjykoni dekarata dhe zhurmën e bërë lidhur me 5 shqiptarë që luajnë për Zvicrën
Nuk doja të bëja ndonjë koment special dhe as të veçantë. Të gjithë në këtë botë zgjedhin rrugën e tyre. Unë dua të flas për vetën time, e jo për të tjerët. Që i vogël jam edukuar për të qenë kudo që jetoja të dija se jam shqiptar.
Në mendje kur nisa futbollin kam pasur vetëm një ide, të luaj qoftë dhe një herë për kombëtaren shqiptare. Kurrë nuk kam menduar se nëse do bëja këtë veprim do më prisnin mbase edhe masa ndëshkuese. Të gjitha i kisha marrë parasysh. Mos harroni se kam luajtur me kombëtaren shqiptare që në vitin 2001. Nuk pranuar asnjë ofertë nga kombëtaret e moshave të Francës dhe asgjë tjetër.
Por edhe nëse ato do vinin e kisha marrë përsipër se sa herë që të më kërkohej do bëja të njëjtin veprim, pra atë që bëra, duke vendosur që në moshën 20 vjeç të pranoja ftesën për veshur fanellën kuqezi. Kjo për mua ka qenë maksimumi, por e theksoj se kjo ka qenë zgjidhja ime personale dhe seicili është i lirë për të vepruar si e mendon ai vetë. Unë jam Loriku e flas vetëm për atë që mendoj vetë dhe ma ka edukuar familja.
Po para keni dhënë për të hyrë në kombëtaren shqiptare?
Kush unë? Mos u tallni, kam 10 vjet në kombëtare, para meje kanë qenë Beqaj dhe Besnik Hasi. Në ekipet e moshave ka shumë futbollistë, të cilët vijnë nga trojet shqiptare, por nuk kam dëgjuar se dikush duhet të paguajë për qenë futbollist i kësaj skuadre. Jo, janë të gjitha thashetheme.
Rasti Xhaka?
Po përse nuk përmendet rasti Meha, apo Kukeli apo të të gjithë kosovarëve të tjerë që luajnë për Shqipërinë. Pyetini ata. Sa për Xhakën më duhet të them se është një talent në futboll, dhe një talent nuk ka mundësi dhe nuk mund e duhet të paguajë para për të qenë futbollist i kombëtares shqiptare.
Ai është një futbollist i shkëlqyer e pra askush nuk mund t’ia mohojë të qenit futbollist kombëtareje, pavarësisht se me kë skuadër luan. Nuk ka asnjë mundësi që presidenti ti ketë kërkuar 25 mijë euro që ai të veshë fanellën e kombëtares shqiptare (ketë e kam lexuar nga mediat nëpërmjet babait të tij).
Por kujdes, mbase ka sekserë të paskrupullt, të cilët edhe mund t’ia kenë propozuar një gjë të tillë, por presidenti Duka kurrë. Dëgjo ne jemi sot 7 kosovarë që luajmë për Shqipërinë, shto këtu dhe ekipet e moshave, pra u – 21, u – 19, u- 17 dhe u – 15 dhe personalisht unë nuk kam dëgjuar qoftë dhe një herë që dikush, pra X apo Y të kenë paguar për të qenë në skuadrat përfaqësuese.
Megjithatë më vjen shumë keq që insinuata të tilla hapen pikërisht tani, kur skuadra është në formim e sipër. Unë e them me bindje të plotë se në këto 10 vjet që unë militoj në këtë kombëtare në asnjë rast dhe në asnjë moment nuk kam dëgjuar të kërkohen para për të luajtur në skuadrën përfaqësuese.
E fundit, përse nuk mi kërkuan edhe mua, kur në atë kohë isha vetëm 20 vjeç? Nëse do dija një rast, ose do kisha dëgjuar ndonjë gjë do e kisha thënë. Kjo sepse unë jam Lorik Cana, dhe kështu jam gatuar. Pastaj shqiptarë janë edhe dy të tjerët, Mehmeti dhe Xhemaili, të cilët se vijnë nga Tetova apo Gostivari, përse nuk flasin edhe ata që u janë kërkuar para. Jo më duket e turpshme kjo insinuatë.
Po përse ata nuk luajnë për Shqipërinë?
E thashë një herë dhe e përsëris, është zgjedhje individuale e secilit. Lorik Cana përgjigjet për veten e tij dhe nuk gjykon askënd. Askush nuk mund të dije problemet e tjetrit, por Loriku e rithekson se për çfarëdo represioni, për çfarëdo problemi dokumentesh apo çfarëdo lloj problemi tjetër, ai do të zgjidhte kombëtaren shqiptare. Dhe unë këtë zgjidhje e kam bërë, kam zgjedhur fanellën kuqezi, të tjerët bëjnë si e ndjenë. Mbase kanë pasur edhe ata problemet e tyre dhe kanë zgjedhur atë që kanë dëshiruar, por askush nuk duhet t’i gjykojë e aq më shumë t’i ofendojë.
Jeni kapiten i kombëtares, e ndjeni veten ambasador, Shqipëri-Kosovë?
Pyetje shumë interesante. Unë vërtet jam kapiten i kombëtares, por jam edhe i një kombi të tërë, që ka emrin Shqipëri. Unë jam kapiten i një skuadre, por edhe mijëra shqiptarëve që kanë vetëm një flamur, atë kuqezi.
Sa të militoj, po aq herë do kontribuoj për kombin shqiptar. Nuk dua dhe nuk do kërkoj dy kombëtare, nuk dua dhe nuk do kërkoj që Shqipëria dhe Kosova të luajnë veçmas, por do kërkoj, që të gjithë ne si komb, të luajnë nën të njëjtin flamur, nën të njëjtin himn kombëtar dhe me të njëjtën fanellë. Në fund të fundit të gjithë jemi shqiptarë. Kjo është ëndrra ime
E besoni një gjë të tillë?
Pse jo. Mbase as vetë nuk e di kur do vijë dita, por që një ditë kjo do ndodhë është e sigurt. Do uroja të isha edhe unë prezent, nuk besoj se është e largët dhe hsrepsoj ta rrij duke luajtur futboll e qenë protagonist në fushë
Besoni se do ta arrini si futbollist?
Do ish gjëja më e mrekullueshme në botë, të shpresojmë. Kështu si po lëvizin gjerat shpresoj jashtëzakonisht shumë.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.