Prokuroria i vendos ‘kyçin’ punimeve, kur nisin fluturimet në Aeroportin e Vlorës? Behgjet Pacolli befason me përgjigjen

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka deklaruar se punimet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës do të përfundojnë në kohë, por data e nisjes së operimit të plotë do të shtyhet më tej për shkak të masave ligjore të ndërmarra sot ndaj këtij objekti apo kompanive koncesionare.
Në një intervistë për ‘Opinion’, Pacolli tregon se para disa javësh një gjykatës ka lëshuar një masë sigurimi duke bllokuar mbarëvajtjen e VIA-s, por jo të punimeve teknike. Kjo ka ndodhur për shkak të kallëzimit të depozituar në prokurori nga ortaku në minorancë, Valon Ademi, i cili pretendon nga Aeroporti i Vlorës, më shumë se 2% të aksioneve, të cilat zotëron momentalisht.
“Në datën 1 mars nuk është reale që të fluturojnë, por aeroporti do të kryhet ashtu siç e sheh kontrata në shkurt të vitit të ardhshëm. Ka një masë siguruese që u lëshua para disa javëve, që totalisht e ka bllokuar mbarëvajtjen e VIA-s, e aeroportit të Vlorës. Punimet vazhdojnë, por entiteti VIA, duhet të bëjë stafin, duhet ta trajnojë, duhet të instalojë sistemin informatik, duhet të bëjë të gjitha përgatitjet, duhet të bëjë kontratat me kompanitë ajrore. Tash për tash janë të bllokuara, askush nuk guxon të bëjë diçka, madje as ata punëtorë që kanë qenë të paguar nga VIA, pagat nuk i marrin.
Në botën e civilizuar ekzistojnë masat siguruese, por siguruesi duhet të depozitojë një shumë goxha të madhe nëse dëmtohet pala tjetër. Domethënë gjykatësi duhet ta shpërblejë me atë masë. Masa që është lëshuar dhe bllokohet një entitet shtetëror, një entitet publiko-privat, më i madhi në Shqipëri që ka ndodhur deri tani për mua nuk është reale dhe si kanë menduar ta bëjnë atë unë nuk e di”, tha Pacolli.
Më datë 31 tetor, Behgjet Pacolli është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës ku është marrë 4 orë në pyetje nga prokurori Ndini Tavani. Pacolli me kompaninë e tij “Mabco Construction S.A.”, zotëron 98% të aksioneve, ndërsa ortaku i tij Valon Ademi me kompaninë ‘2A Group’ vetëm 2%. Ky i fundit pretendon më shumë duke thënë se ka investuar më tepër dhe se vlera e investimeve duhet t’i përkthehet në aksione.