Për herë të parë në parlament me një vend jashtë Unionit, Italia pret nesër qeverinë shqiptare! Rama e 10 ministra gati për të firmosur marrëveshjet e bashkëpunimit

Për herë të parë, një mbledhje e përbashkët do të organizohet mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane si rrjedhojë e një bashkëpunimi dhe marrëdhënie të lartë diplomatike shumëvjeçare mes dy vendeve.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga 10 ministra të kabinetit, udhëtojnë drejt Romës ku do të priten nga qeveria italiane dhe kryeministrja Giorgia Meloni. Në tryezë, të paktën 10 marrëveshje të përbashkëta të miratuara në parim në fund tetori nga qeveria shqiptare, do të firmosen ditën e nesërme në Itali.
Shqipëria dhe Italia gëzojnë një numër të madh marrëveshjesh të nënshkruara apo projektesh të zhvilluara bashkërisht, në fusha si mbrojtja, shëndetësia, teknologjia, infrastrukturë, ekonomi e deri tek mbështetja për Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Theksojmë që në vitin 2010, dy shtetet firmosën Deklaratën e Partneritetit Strategjik.
Fillimisht Rama do të takohet me Meloni rreth orës 11:40, e më pas më pas së bashku me delegacionin e ministrave të kabinetit që e shoqëron, do të marrë pjesë në seancën plenare të mbledhjes ndërqeveritare.
Delegacioni shqiptar që do të marrë pjesë në mbledhjen e përbashkët përbëhet nga:
• Belinda Balluku, Zv.kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë
• Elisa Spiropali, Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme
• Besfort Lamallari, Ministër i Drejtësisë
• Albana Koçiu, Ministre për Punët e Brendshme
• Pirro Vengu, Ministër i Mbrojtjes
• Evis Sala, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
• Delina Ibrahimaj, Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit
• Blendi Gonxhja, Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit
• Sofjan Jaupaj, Ministër i Mjedisit
• Adea Pirdeni, Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin
Të paktën 5 ministri do të firmosin disa marrëveshje bashkëpunimi në disa sektorë të ndryshëm:
Ministria e Brendshme
Ministria e Mbrojtjes
Ministria e Shëndetësisë
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) –një marrëveshje për cybersecurity
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë – marrëveshje financimi për rrjetin elektrik të veriut
Marrëdhëniet e afërta mes Shqipërisë dhe Italisë datojnë nga hera, ndërsa një sërë bashkëpunimesh kanë zgjeruar spektrin e ndërveprimit mes tyre. Italia ka zhvilluar dhe të tjera mbledhje të përbashkëta me vende anëtare të BE-së, por është e para herë që do të ulet në një tryezë të përbashkët me një shtet jashtw Unionit.