“Nuk ka kthim pas”! Evis Sala premton “ditë më të mira” për Onkologjikun: Buxheti për barnat 1 miliard lekë

Kërkesa e opozitës për mocion me debat në Kuvend për gjendjen në Spitalin e Onkologjikut në Tiranës, u rrëzua me 26 vota pro dhe 54 kundër. E megjithëkëtë ministrja e shëndetësisë, Evis Sala, mbajti një qëndrim mbi gjendjen e Onkologjikut.

Ajo është shprehur se pak javë më parë ka pranuar një sfidë të madhe të cilën nuk e konsideron vetëm si të qeverisë, por edhe të sajën si ministre por mbi të gjitha si mjeke, teksa shton më tej se e ka filluar karrierën në spitalin onkologjik.

“Pikërisht në atë spital, ku këto ditë kam prekur çdo skutë, kam takuar pacientët, familjarët, mjekët, infermierët, sanitarët pa zhurmë dhe pa media. Sfidat ekzistojnë dhe ne jemi duke vepruar,” është shprehur ajo.

Ministrja ka theksuar se: “Këshilli Administrativ i FSDKSH,  ka aprovuar rialokimin e një fondi prej 200 milion lekë, për të adresuar zgjidhjen e nevojave urgjenteve  me barna onkologjike në QSUNT.”

Dhe më tej shton se vetëm për barnat te onkologjiku, për mungesën e të cilave kujtojmë se është folur shumë, është akorduar buxhet i 2026 i dedikuar prej 1 miliard lekësh.

“Problemet nuk zgjidhen me retorikë politike, apo duke luajtur me emocionet dhe dhimbjet e pacientëve. Zgjidhen me dedikim punë dhe bashkëpunim”, ka thënë Sala, teksa shton se procesi që ka nisur nuk ka më kthim pas.

Fjala e plotë:

“Nuk dua të hyj në debatin e procedurës së Parlametit. Nuk dua të bëj politikë me dhimbjet e pacientëve.

Pak javë më parë kam pranuar një sfidë të madhe. Sfida nuk është vetëm e qeverisë dhe e imja si ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, por mbi të gjitha është sfida ime personale, si mjeke, pasi e kam filluar karrierën time, pikërisht në atë spital onkologjik.

Pikërisht në atë spital, ku këto ditë kam prekur çdo skutë, kam takuar pacientët, familjarët, mjekët, infermierët, sanitarët pa zhurmë dhe pa media. Sfidat ekzistojnë dhe ne jemi duke vepruar.

Vetëm tre ditë më parë Këshilli Administrativ i FSDKSH,  ka aprovuar rialokimin e një fondi prej 200 milion lekë, për të adresuar zgjidhjen e nevojave urgjenteve  me barna onkologjike në QSUNT.

Gjithashtu, me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në projekt buxhetin e vitit 2026, i cili pritet të kalojë në Kuvend pas pak ditësh, vetëm për barnat onkologjike është akorduar buxhet i dedikuar, prej 1 miliard lekësh. Kjo është një risi.

 Problemet nuk zgjidhen me retorikë politike, apo duke luajtur me emocionet dhe dhimbjet e pacientëve. Zgjidhen me dedikim punë dhe bashkëpunim.

Angazhimi im ka qenë dhe është i qartë: Çdo pacient që vuan nga sëmundje onkologjikë do të trajtohet me trajtimin e duhur dhe me protokollet bashkëkohore. Ky proces ka nisur dhe nuk ka  kthim pas.”

Back to top button
LAJMET E FUNDIT