Debati për projektin në Sazan, Rama: Nuk është shitur tokë publike, mbetet e shtetit

Kryeministri Edi Rama, gjatë podcastit të tij të përjavshëm “Flasim”, foli për zhvillimet e javës, duke u ndalur te vizita e tij në Bochum të Gjermanisë, projektet e digjitalizimit, si dhe debatet publike mbi investimet në zonat e Zvërnecit dhe Sazanit.
“Një tjetër moment për t’u shënuar nga java ishte vizita në Bochum të Gjermanisë, me ftesë të organizatorëve të samitit ndërkombëtar të teknologjisë “Ruhr Summit”, ku isha i ftuar për të prezantuar transformimet që kemi bërë në Shqipëri me digjitalizimin dhe mënyrën se si e kemi modernizuar dhe po e modernizojmë qeverisjen përmes digjitalizimit dhe, së fundmi, edhe përmes futjes në përdorim të Inteligjencës Artificiale.
Një tjetër moment në atë vizitë ishte takimi me kryeministrin e landit, Hendrik Wüst, një ndër figurat më të spikatura të CDU-së gjermane dhe një mik i interesuar për zhvillimet në Shqipëri, për ecurinë e procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, me të cilin folëm qoftë për këtë aspekt, pra për mbështetjen e Gjermanisë në mbylljen e kapitujve të negociatave, qoftë edhe për zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale me Gjermaninë përmes marrëdhënieve me rajonet.