“Një vit më parë isha më e lumtur te bujtina se sa sot në Parlament”, “Neomalësorja” feston ditëlindjen e 25-të

Deputetja më e re në radhët e socialistëve, Marjana Koçeku feston sot ditëlindjen e saj të 25-të. Në këtë ditë të veçantë për të, deputetja ka kujtuar me nostalgji ditët kur punonte në bujtinën familjare, të rrethuar nga natyra e qetë dhe mikpritja e vizitorëve, një mjedis që sipas saj është shumë larg realitetit të përditshëm parlamentar.
Edhe pse sfidat e jetës së re politike janë të shumta, “Neomalësorja” thotë se e sheh veten në një terren më të gjerë, ku ndihet e dobishme dhe e motivuar për të lënë gjurmë, ndonëse thekson se një vit më parë ndihej më e lumtur se sa sot.
Sipas saj, angazhimi politik lindi natyrshëm pas viteve si aktiviste, ku së bashku me bashkëmoshatarë kishte artikuluar prej kohësh nevojën për ndryshime konkrete në Shkodër dhe në gjithë vendin.
“Sot mbushi 25 vjeç, dhe një gja asht e sigurt: nji vit ma përpara isha ma e lumtun te bujtina e familjes sime, se sa sot në Parlament.
Atje nuk përballesha me fyemje e shpifje, por me komplimente prej familjeve që na vizitonin ku e kaloja ditën në mes të natyrës së bekume shqiptare, e jo në mes të trafikut urban e kakofonisë së shpeshtë. Por kjo s’do me thanë se jam e pendueme. Përkundrazi, ndjehem e frytshme në nji terren ma t’gjanë.
Jam ende në fillimet e mia. E kam marrë këtë iniciativë me bindje të plotë: me lanë gjurmë, me u përpjekë me ndryshu gjanat në Shkodër e në tanë Shqipninë”, shkruan ajo ndër të tjera.
Postimi i plotë:
Sot mbushi 25 vjeç, dhe një gja asht e sigurt: nji vit ma përpara isha ma e lumtun te bujtina e familjes sime, se sa sot në Parlament.
Atje nuk përballesha me fyemje e shpifje, por me komplimente prej familjeve që na vizitonin ku e kaloja ditën në mes të natyrës së bekume shqiptare, e jo në mes të trafikut urban e kakofonisë së shpeshtë. Por kjo s’do me thanë se jam e pendueme. Përkundrazi, ndjehem e frytshme në nji terren ma t’gjanë.
Jam ende në fillimet e mia. E kam marrë këtë iniciativë me bindje të plotë: me lanë gjurmë, me u përpjekë me ndryshu gjanat në Shkodër e në tanë Shqipninë. Si vajzë e re, që ka ba do gjana n’jetë, kam shumë vullnet e vendosmêni, e askush s’mundet me ma ndalë dëshirën, vizionin dhe forcën e shpirtit tem për me e çue përpara këtë punë.
Dikush mund të më pyesë: “Pse pra, meqë ishe e lumtun e aq mirë, u fute në politikë?”
Përgjigjja asht e thjeshtë: sepse si e re aktiviste, për vite të tana me miq e shokë jemi ankue për gjanat që duhen përmirësu, e sot mu dha mundësia konkrete me i prek e me i ndryshu. Sepse gjanat nuk ndryshojnë tuj u ankue, por tuj kërku zgjidhje praktike për me përmirësu jetën e qytetarëve.
Uroj fort mos me u pendu kurrë dhe me ardhë dita që me thanë me zemër plot se jam e lumtun që zgjodha këtë rrugë e po ashtu me marrë shum t’rinj e t’reja të talentuem të ktij vendi me vete.