Miliarderët të frikësuar, miku i Edi Ramës “i pa trembur” nga politikat e kryebashkiakut të ri të New York, del hapur dhe krenar për fitoren e Zohran Madamit: Ëndrra amerikane vazhdon!

Zohran Mamdani ka hyrë në histori si kryebashkiaku më i ri dhe i pari mysliman që do të drejtojë qytetin më të madh dhe të pasur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nju Jorkun, I lindur në Afrikë, nga prindër indianë dhe i vendosur në SHBA në moshën 7-vjeçare, 34-vjeçari arriti të fitojë zgjedhjet me një fushatë të thjeshtë, pa mbështetje të madhe partiake dhe me shumë pak fonde.
Mamdani, i njohur për qëndrimet e tij të majta progresive, vjen nga krahu social-demokrat i Partisë Demokratike. Axhenda e tij politike përfshin ngrirjen e qirave, hapjen e dyqaneve ushqimore në pronësi të qytetit, kujdesin falas për fëmijët dhe një taksë të sheshtë 2% për milionerët e Nju Jorkut, masa që kanë shkaktuar shqetësim në qarqet e Wall Street-it. Vetë Mamdani ka deklaruar se “nuk beson se miliarderët duhet të ekzistojnë”.
Zgjedhja e tij ka ndarë mendimet në botën e financave. Disa nga figurat më të fuqishme të biznesit amerikan, si Bill Ackman, Mike Bloomberg dhe bashkëthemeluesi i Airbnb, Joe Gebbia, kishin mbështetur publikisht rivalin e tij, ish-guvernatorin Andrew Cuomo, duke investuar miliona dollarë në fushatën e tij. Edhe Elon Musk, në prag të zgjedhjeve, bëri thirrje në rrjetin X që “të votohej për Cuomo-n”.
Megjithatë, jo të gjithë në Wall Street janë kundër Mamdanit. Një analizë e Business Insider tregoi se shumë punonjës të bankave e institucioneve financiare kishin kontribuar në mënyrë të konsiderueshme për socialistët demokratë. Ish-ekzekutivi i McKinsey, Yasser Salem, një nga këshilltarët më të afërt të Mamdanit, tha se disa drejtues biznesesh janë të hapur ndaj ideve të tij, veçanërisht ndaj kujdesit falas për fëmijët, që mund të lehtësojë barrat financiare për punonjësit.
Çfarë thonë liderët e biznesit:
Jamie Dimon, drejtori ekzekutiv i JPMorgan, reagoi pas fitores së Mamdanit. “Ai është i ri. Pyetja është nëse do të arrijë të bëhet i mirë në këtë punë. Kam parë shumë njerëz që rriten në detyrë, disa ia dalin, disa jo. Shpresoj që ai të jetë ndër të mirët,” tha Dimon për CNN.
Në konferencën e tij të parë si kryebashkiak i zgjedhur, Mamdani iu përgjigj duke thënë se “pret me padurim të takohet me Dimon dhe me këdo që është i shqetësuar për të ardhmen e qytetit”.
Ricky Sandler, drejtori ekzekutiv i Eminence Capital, i cili kishte dhuruar gjysmë milioni dollarë për grupet që mbështesnin Cuomo-n, tha se “Nju Jorku do të jetë më keq pas këtij rezultati”. Megjithatë, ai shtoi se për momentin nuk ka ndërmend ta zhvendosë firmën e tij nga qyteti.
“Jam i shqetësuar për sigurinë dhe për jetesën. Mungesa e përvojës së Mamdanit mund të krijojë një krizë fiskale,” u shpreh Sandler.
Bill Ackman, shefi i Pershing Square Capital Management, i cili shpenzoi rreth 1.75 milionë dollarë për ta penguar Mamdanin të fitonte, pas rezultatit i uroi atij suksese.
“Tani ke një përgjegjësi të madhe. Dua të bëj gjithçka që mundem për të ndihmuar qytetin, pavarësisht kush është kryetar bashkie,” shkroi Ackman në X.
Ken Griffin, miliarderi që drejton fondin Citadel, reagoi më ashpër: “Lutem që politikat me të cilat Mamdani do të qeverisë të mos jenë ato që përdori për të fituar. Populli i Nju Jorkut meriton më shumë.” Ai paralajmëroi se politikat e majta mund të nxisin largimin e biznesit drejt qyteteve si Miami.
Ndër figurat që përgëzuan Mamdanin ishte Andrew Yang, ish-kandidat presidencial, i cili e quajti atë “një person të mirë që dëshiron gjëra të mira për njerëzit”.
Edhe Alex Soros, djali i filantropit George Soros dhe drejtues i Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur u shpreh i lumtur për fitoren e Mamdanit. Soros, i cili njihet në Shqipëri si një ndër miqtë më të ngushtë të kryeministrit tonë, Edi Ramës, e uroi kryebashkiakun e ri të Nju Jorkut dhe nuk nguroi t; i tregonte se sa krenar është për fitoren e tij.
“Shumë krenar që jam banor i Nju Jorkut! Ëndrra amerikane vazhdon!”, shkruante Soros.
Zohran Mamdani pritet të marrë detyrën në fillim të vitit të ardhshëm. Me një platformë që sfidon interesat e korporatave dhe me një vizion për një qytet më të barabartë, ai tashmë përballet me testin më të madh të karrierës së tij, ta provojë se politika progresive mund të funksionojë edhe në zemrën financiare të botës.