Të tepruara? Të duhura? Masat anti-Covid për një sociolog dhe një klerik

Entela Resuli
Futja e vendit në karantinë të plotë ka nisur të krijojë një gjendje të vështirë për pjesën më të dobët ekonomikisht të familjeve shqiptare.
Sociologu Ergys Mërtiri kritikon shtrëngimin e masave pa gjetur alternativë për shtresën e varfër.
“Njerëzit kanë nevojë edhe të shohin që shtet me fytyrë humane. Nuk mund ta menaxhosh gjithçka me policë’, thotë Mërtiri në këtë bisedë me gazetaren e DITA Entela Resuli.
-Si do e përballojnë ata që nuk kanë mundësi ekonomike, izolimin?
Situata është vërtetë dramatike për ta. Shumë njerëz kanë qenë në kufijtë ekstremë të mbijetesës edhe përpara kësaj ngjarje, jo më tani. Kemi një kategori të madhe njerëzish që ose presin t’iu ndihmojnë, ose e sigurojnë një copë bukë duke shitur diçka në mënyrë ambulante, ose duke mbledhur kanaçe, apo aktivitete të tjera të këtij lloji.
Mbyllja e tyre është shkatërruese për ta, pasi ata janë për bukën e përditshme. Ndoshta mund ta kenë vështirë edhe të gjejnë para borxh, për shkak se mund të mos iu japin, duke e ditur që kanë vështirësi t’i kthejnë.
-Çfarë masash duhen të merren dhe si mund të ndihmohen?
Pikë së pari, qeveria ka nevojë të zbusë planin e masave, pasi ka tejkaluar çdo vend tjetër, madje, në disa aspekte, edhe vetë Italinë. Qeveria duhet të mos i pengojë njerëzit të punojnë, sepse kështu po paralizon jetesën dhe po prodhon një problem më të madh edhe se vetë virusi. Përveç kësaj, qeveria ka për detyrë të kompensojë problemet e shkaktuara nga masat, aq më tepër ndaj atyre që luftojnë për mbijetesë. Nuk mund t’iu thuash njerëzve: Qëndroni në shtëpi, dhe të mos bësh asgjë, për t’iu siguruar atyre kushtet e jetesës!
-Si duhet të veproj qeveria për këtë shtresë e cila përveç panikut të koronavirusit, i shtohet edhe stresi i gjendjes ekonomike?
Përveç përkrahjes ekonomike, njerëzit kanë nevojë edhe të shohin që shtet me fytyrë humane. Nuk mund ta menaxhosh gjithçka me policë. Qytetarët kanë nevojë ta ndjejnë shtetin pranë, të shohin që ai kujdeset për ta dhe nuk i lë në baltë. Problemi është se kjo qeveri po tregon rregullisht që nuk i ka në hesap fare qytetarët. Në mënyrë të vazhdueshme ajo di vetëm të nxjerrë plan masash e gjobash dhe asnjë ndihmë apo përkrahje. Kjo natyrisht që e shton gjendjen e pasigurisë, dhe jo më kot, qytetarët e kërkojnë, prej kohësh tashmë zgjidhjen tek emigrimi.
Për klerikun Dom Gjergj Meta masat nuk kanë pse të duket tepërt të rrepta.
Katër ditë më parë komuniteti musliman, anuloi faljen e Namazit dhe çdo tubim në xhami, edhe Kisha Katolike me anë të një dekreti, nxjerrë nga Ipeshkëvinjtë e Kishës Katolike, pezulloi çdo aktivitet, deri më 3 prill në vendin tonë.
Dom Meta thotë:
“Mos të na duken shumë të rrepta masat e marra. T’u bindemi këtyre masave, jo vetëm nga frika e ligjit, por nga dashuria për jetën. Dëgjoni shqiptarët që jetojnë në Itali. Ata e dinë më mirë se ne se ç’po ndodh atje.
Ne jemi në një vend ku nuk kemi kushte për përballje të mëdha me situatën. Lombardia në Itali ka mjekësinë më të përparuar, është zona ekonomike më e pasur në Itali dhe ndër më të pasurat në Europë dhe po shkon drejt kolapsit.
Përveç kësaj Italia ka me qindra e mijëra spitale të pajisura e përsëri të pamjaftueshme për t’u përballur me situatën. Imagjinoni që tek ne që kemi vetëm Tiranën dhe ajo e pamjaftueshme për Tiranën e jo më për Shqipërinë.
Bindjuni punonjësve të policisë, dëgjoni këshillat e mjekëve, ndiqni udhëzimet e dhëna nga Instituti i Shëndetit Publik. Lutjuni Zotit, qëndroni në shtëpi” – shkruan ai

