Shqiptarët, ndër tre grupet kryesore që marrin shtetësi në BE/ 48 mijë shqiptarë fituan shtetësi evropiane në vitin 2024

Shqiptarët renditen ndër grupet më të mëdha që kanë marrë shtetësi në vendet e Bashkimit Evropian gjatë vitit 2024.

Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Eurostat, rreth 48 mijë shqiptarë kanë fituar shtetësinë e një vendi të BE-së gjatë vitit të kaluar, duke u renditur të tretët pas sirianëve dhe marokenëve.

Raporti tregon se vendet e Bashkimit Evropian dhanë shtetësi për afro 1.2 milionë persona në vitin 2024, një rritje me 12% krahasuar me vitin 2023. Sirianët kryesojnë listën me 110 mijë shtetësi të fituara, të ndjekur nga marokenët me 97 mijë, ndërsa shqiptarët zënë vendin e tretë me 48 mijë shtetësi të marra në vendet e BE-së.

Eurostat thekson se shqiptarët kanë qenë vazhdimisht ndër komunitetet kryesore që përfitojnë shtetësi europiane gjatë viteve të fundit. Në periudhën 2016-2019, shqiptarët renditeshin të dytët pas marokenëve, ndërsa nga 2020 deri në 2024 mbeten mes tre komuniteteve kryesore që marrin shtetësi në BE.

Demografia evropiane

Bashkimi Evropian numëronte më 1 janar 2025 rreth 451 milionë banorë, ose rreth 1 milion më shumë se një vit më parë. Gjermania mbetet vendi më i populluar me 84 milionë banorë, e ndjekur nga Franca, Italia, Spanja dhe Polonia.

Raporti evidenton gjithashtu rritjen e emigracionit drejt vendeve të BE-së.

Vetëm gjatë vitit 2024, afro 6 milionë persona emigruan në shtetet europiane, ku 4.2 milionë prej tyre vinin nga vende jashtë BE-së. Spanja dhe Gjermania ishin destinacionet kryesore për emigrantët.

Një tjetër tregues i rëndësishëm lidhet me plakjen e popullsisë europiane.

Mosha mesatare në BE ka arritur në 44.9 vjeç, ndërsa personat mbi 65 vjeç përbëjnë tashmë 22% të popullsisë totale.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT