Gjiknuri dhe Bylykbashi kërkojnë mbështetje nga ndërkombëtarët, zbardhet SHKRESA e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore

Dy bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, i kanë dërguar një shkresë zyrtare, drejtoreshës së OSBE/ODIH-it, Maria Tselala, ku dhe i kanë kërkuar mbështetje lidhur me procesin e rishikimit të kuadrit zgjedhor.

Duke qenë se Kuvendi i Shqipërisë miratoi në tetor të këtij viti ringritjen e Komisionit të Posaçëm, dy bashkëkryetarët e saj kanë nënvizuar se bashkëpunimi me misionin ndërkombëtar është thelbësor për ecurinë dhe rezultatet e punës.

Për këtë arsye ata kanë kërkuar dhe i kanë ftuar zyrtarisht përfaqësuesit e OSBE/ODIHR-it në vendin tonë që të marrin pjesë në mbledhjet e ardhshme për të garantuar një proces sa më transparent dhe profesional.

“Duke iu referuar dakordësimit te arritur në komunikimet dhe takimet e zhvilluara me përfaqësues të OSBE/ODIHR-it, kemi kënaqësinë t’ju paraqesim në emër të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore kërkesën zyrtare për vënien në dispozicion të ekspertizës suaj nëpërmjet ekspertëve të ODIHR-it për të asistuar punën e Komisionit gjatë procesit të reformës.

Modalitetet e bashkëpunimit me ekspertët tuaj mund t’i dakordësojmë në vijim nëpërmjet kanaleve zyrtare të komunikimit”, thuhet ndër të tjera në shkresë.

Gjiknuri dhe Bylykbashi kërkojnë mbështetje nga

Shkresa e plotë:

Ju shprehim falënderimet dhe mirënjohjen tonë të përzemërt për kontributin e vazhdueshëm që OSBE/ODIHR ka dhënë për zhvillimin demokratik të Shqipërisë dhe në veçanti për forcimin e standardeve zgjedhore.

Kuvendi i Shqipërisë me vendimin nr. 74, datë 27.10.2025, ka miratuar ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Ky Komision ka objekt të punës së tij të hartojë ndryshime ligjore për reformën zgjedhore, duke adresuar rekomandimet e raporteve te OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e fundit dhe ato të mëparshme të patrajtuara, si dhe rekomandimet e institucioneve përgjegjëse, partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile.

Duke iu referuar dakordësimit te arritur në komunikimet dhe takimet e zhvilluara me përfaqësues të OSBE/ODIHR-it, kemi kënaqësinë t’ju paraqesim në emër të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore kërkesën zyrtare për vënien në dispozicion të ekspertizës suaj nëpërmjet ekspertëve të ODIHR-it për të asistuar punën e Komisionit gjatë procesit të reformës.

Modalitetet e bashkëpunimit me ekspertët tuaj mund t’i dakordësojmë në vijim nëpërmjet kanaleve zyrtare të komunikimit.

Duke Ju falënderuar paraprakisht për gatishmërinë dhe bashkëpunimin, ju përcjellim konsideratat tona më të larta.

BASHKEKRYETARËT

Damian Gjiknuri

Oerd Bylykbashi

Back to top button
LAJMET E FUNDIT