Rama e bëri zv.kryeministre, Albana Koçiu “tallet” me Sali Berishën: O Don Kishot që grindesh me koshat e mbeturinave, po ec nëpër rrugë si çlirimtar

Ministrja e Brendshme, e cila pritet të dekretohet nga presidenti Bajram Begaj si zv.kryeministre e Shqipërisë, ka reaguar lidhur me protestën e Partisë Demokratike.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Albana Koçiu ka publikuar pamjet nga protesta, teksa ka dënuar dhunën e protestuesve ndaj efektivëve.

Sipas saj, hedhja e molotovëve drejt godinës së Policisë së Shtetit nuk përbën akt proteste, por një provokim të hapur dhe përpjekje për përshkallëzim të situatës.

Ajo thekson se retorika e ashpër dhe aktet e dhunës nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve, të cilët, sipas saj kanë dhënë verdiktin e tyre me votë.

“Të shkosh me molotovë në duar drejt godinës së Policisë së Shtetit nuk është një akt proteste, por një provokim i hapur dhe një dëshirë e ethshme për përshkallëzim, duke tentuar të delegjitimohet forca e ligjit përballë presionit të rrugës.

Marshojnë si çlirimtarë në rrugët e kryeqytetit, ndërkohë që janë po ata vetë që shqiptarët i kanë lënë jashtë rrugës së politikës me votë.

Duke u fshehur pas bandës së molotovëve, ky Don Kishot që grindet me koshat e mbeturinave si me mullinjtë e erës, e ka kthyer partinë e parë pluraliste në një repart zjarrvënësish.

Ky zjarr nuk djeg dot asnjë reformë dhe as të ardhmen europiane të Shqipërisë, por vetëm mbetjet e fundit të një opozite që nuk di më as kush është, as ku po shkon dhe as pse po bërtet”, shkruan Koçiu.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT