“Është tradhtuar nga njerëzit e afërt të tij”, Lala jep detaje nga atentati në Rinas: Vrasja ishte një mesazh për Emiljano Shullazin

Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë së fundmi detaje në lidhje me atentatin që ndodhi ditën e djeshme në Rinas, ku u vra Gilmando Dani dhe u plagos Muci Shaljani.
Lala është shprehur se dyshohet që atentati ka ndodhur për larje hesapesh. Sipas saj, vrasja ka qenë një mesazh për Emiliano Shullazin, duke qenë se Dani konsiderohej si krahu i djathtë i tij.
Gjithashtu, Lala ka theksuar se, meqë Shullazin nuk mund ta arrinin dot pasi ndodhet në qeli, autorët janë hakmarrë ndaj njeriut më të afërt të tij. Ajo shtoi se Dani mund të jetë tradhtuar nga persona të afërt.
“Besohet se mesazhi dhe objektivi ka qenë Emiljano Shullazi, por duke mos pasur mundësi për të arritur tek ai, janë hakmarë tek njeriu i afërt i tij, Gilmando Dani. Dani mund të jetë tradhtuar nga njerëzit e afërt të tij. Më 7 nëntor ka udhëtuar drejt barcelonës, teksa autorët kanë pasur informacion për çdo lëvizje të tij. Ata kishin informacion aq të saktë sa kanë pritur te rrethrrotullimi të qetë, në pritje të tij, duke e ditur se do kalonte aty. Ata e dinin se Dani ishte i ulur pikërisht në vendin e pasagjerit, ku dhe drejtohen plumbat. Autorët kanë vepruar si paramilitarë, njëri qëllim dhe tjetri i mbron krahët. Kanë vepruar si komando, e ndihmon me armën, e pret derisa mbaron sulmin. Dani është tradhtuar nga njerëzit që ka takuar. Janë qëlluar deri në 80 plumba. Atentatorët kujdesen edhe të mos lënë gjurmë, duke mbledhur gëzhoja e plumba”, tha gazetarja sot në “News 24”.