Dha sot dorëheqjen, Bujar Leskaj me sytë nga Banka e Shqipërisë?! A kërkoi deputeti i Vlorës vendin e Ridvan Bodes në Këshill gjatë takimit me Berishën?

Deputeti demokrat i Vlorës dhe njëherësh drejtuesi politik i PD në qarkun e madh të jugut, Bujar Leskaj njoftoi papritur dorëheqjen. Që ai nuk “e rruante” shumë për direktivat e lidershipit opozitar – siç pohoi kur nuk mori parasysh urdhrin e PD dhe shkoi në protestën e UÇK në Tiranë me kolegët socialistë – kjo dihej, por zëra për tërheqje apo dorëheqje nuk ka pasur asnjëherë.

Madje, deri pak ditë më parë, ai shoqëroi Flamur Nokën në takim me strukturat e Vlorës, për zgjedhjet e pjesshme që do të zhvillohen në këtë bashki.

Newsbomb.al ka mësuar se dorëheqja e beftë mëngjesin e kësaj të hëne, nuk lidhet dhe aq shumë me dëshirën e Bujar Leskaj që strukturat e Partisë Demokratike të reformohen si reflektim për humbjen në 11 Maj, sesa aspiratave të tij për një post të lartë jashtë PD.

Dha sot dorëheqjen, Bujar Leskaj me sytë nga Banka e

Bujar Leskaj dhe Sali Berisha

Ish-kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit i ka shprehur Sali Berishës ambicien për të shkuar në Bankën e Shqipërisë, si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, duke kërkuar prej tij mbështetje për garën që ndahet me votë në Parlament.

Nuk dihet nëse ai ka siguruar mbështetje dhe në kampin e majtë, duke marrë parasysh miqtë e shumtë që ka në radhët e socialistëve, por burime për neësbomb.al bëjnë me dije se Bujar Leskaj e ka diskutuar ambicien e tij me liderin demokrat Sali Berisha.

Nëse rezulton të jetë kështu, atëherë teorikisht vendi që deputeti i Vlorës i ka vënë syrin në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, është pikërisht ai i Ridvan Bodes.

Dha sot dorëheqjen, Bujar Leskaj me sytë nga Banka e

Profesori dhe ish-ministri Ridvan Bode

Doktor i Shkencave Ekonomike i diplomuar në Montpellier të Francës në vitin 1995 dhe një ndër intelektualët e Partisë Demokratike (të paktën deri në 2018), është anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që prej muajit dhjetor të vitit 2018.

Këshilli Mbikëqyrës është organi më i lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës i BSH dhe anëtarët janë me mandat 7 vjeçar, ndaj në Dhjetor 2025, profesor Ridvan Bode do të jetë zyrtarisht me mandat të përfunduar. Në 2018, ai mori mbështetjen e socialistëve pas krizës gati përfundimtare me Partinë Demokratike të drejtuar nga Lulzim Basha.

Anëtarët e këtij organi të lartë në Bankën e Shqipërisë kanë të drejtë rizgjedhje dhe mbetet për t’u parë nëse socialistët do e mbështesin sërish ish-ministrin e PD që është “divorcuar” nga partia e tij kur garoi për këtë post dhe deklaroi se do të “zhvishej nga politika”, apo do të mbeten të hapur për bisedime me opozitën, për të çuar një emër të ri në Këshillin Mbikëqyrës.

Lëvizjet e para kanë nisur, ndaj pritet me interes nëse PD dhe PS do të shkojnë përsëri në bisedime…

Back to top button
LAJMET E FUNDIT