Poston FOTON krah Liri dhe Sali Berishës kur ishte i vogël, Stresi reagon pas zgjedhjes si anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së: Rruga sapo ka nisur

Këngëtari Arkimed Lushaj, i njohur me emrin artistik Stresi, ka reaguar në lidhje me zgjedhjen e tij si anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, gjatë Kuvendit Kombëtar të PD-së, që u mbajt të shtunën.

Teksa ka postuar një foto ku shfaqet kur ishte i vogël, krah kryedemokratit Sali Berisha dhe bashkëshortes së tij, Liri Berisha, Stresi ka falënderuar demokratët për besimin e dhënë ndaj tij.

Më tej, reperi nënvizon se angazhimi i tij në politikë lidhet edhe me kontributin që familja e tij ka dhënë për PD-në, ndërsa shton se dëshiron ta çojë më përpara këtë mision.

Vij nga një familje që ka kontribuar dhe ka sakrifikuar për idealet demokratike, një trashëgimi që e kam ruajtur gjithmonë si gjënë më të çmuar dhe që nuk e kam shkelur kurrë, pavarësisht sfidave apo rrugëve që kam zgjedhur në jetë”, thekson ai.

Gjithashtu, ai nuk lë pa ironizuar edhe mediat, teksa shkruan se tashmë do të jetë kryefjala e lajmeve.

Postimi i plotë:

Faleminderit nga zemra!

Dje mora një përgjegjësi dhe nder të madh duke u zgjedhur anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Mirënjohje për secilin që më mbështeti dhe pa tek unë mundësinë për të përfaqësuar zërin e tij. Një falënderim i veçantë shkon për të rinjtë, energjia dhe besimi i të cilëve më motivojnë edhe më shumë për rrugën që kemi përpara.

Për mua, ky nuk është thjesht një angazhim politik. Është vazhdim i një qëndrimi familjar që është përcjellë ndër breza. Vij nga një familje që ka kontribuar dhe ka sakrifikuar për idealet demokratike, një trashëgimi që e kam ruajtur gjithmonë si gjënë më të çmuar dhe që nuk e kam shkelur kurrë, pavarësisht sfidave apo rrugëve që kam zgjedhur në jetë.

Sot nuk ndihem fitues si individ. Ndihem i detyruar moralisht të punoj dhe të jap më të mirën për ata që më besuan këtë përgjegjësi.

Një falënderim i veçantë edhe për disa media, portale dhe analistë që prej vitesh nuk kanë reshtur së foluri për mua. Dje më bëtë sërish nderin të jem në faqet e para. Edhe kur kemi qenë në qëndrime të ndryshme, më keni kujtuar se rruga drejt suksesit kalon përmes këmbënguljes dhe mosdorëzimit.

Mirënjohës për mbështetjen tuaj. Rruga sapo ka nisur.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT