Bashkëpunoi me ish-kreun e ARRSH-së kundër Veliajt? Belind Këlliçi reagon për herë të parë dhe sfidon mediat: Publikojini bisedat e mia me Ervis Berberin

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas lajmeve se mes tij dhe ish-kreut të ARRSH-së, Ervis Berberit, ekzistojnë biseda telefonike lidhur me organizimin e protestave para Bashkisë së Tiranës.

Përmes një reagimi zyrtar, Këlliçi ka sqaruar se këto pretendime janë të pavërteta dhe se do i shkojë deri në fund duke ndjekur rrugën ligjore.

Demokrati thekson se faktet tregojnë krejt të kundërtën, duke pasqyruar më tej dhe kronologjinë e protestave përballë Bashkisë.

Sipas tij, protesta e parë para zyrës së kryebashkiakut Erion Veliaj është zhvilluar më 5 prill 2024, pas arrestimit të drejtuesve të kompanisë 5D më 28 mars, ndërkohë që Berberi prej 14 marsit ndodhej në qeli dhe nuk kishte akses në komunikime të lira telefonike, elektronike apo takime fizike, përveç atyre të autorizuara dhe të dokumentuara fizikisht.

“Faktet janë të qarta dhe publikisht të verifikueshme: Protesta e parë para Bashkisë është zhvilluar më 5 prill 2024, pas arrestimit të drejtorëve të 5D më 28 mars 2024, ndërkohë që Evis Berberi ka qenë i arrestuar dhe në paraburgim që prej datës 14 mars 2024, nën regjimin e kufizuar të komunikimit sipas Kodit të Procedurës Penale dhe rregullores së paraburgimit.

Në këtë periudhë, ai nuk ka pasur akses në komunikime të lira telefonike, elektronike apo takime fizike, përveç atyre të autorizuara dhe të dokumentuara zyrtarisht. Prandaj, është objektivisht dhe ligjërisht e pamundur që një komunikim i tillë të ketë ekzistuar”, shkruan Këlliçi, duke paralajmëruar kështu se do të ndjekë rrugën ligjore për shpifje dhe ka ftuar mediat dhe institucionet e pavarura të publikojnë çdo komunikim të pretenduar, nëse ekziston.

Sipas tij, kjo çështje nuk është thjesht një sulm personal, por “simptomë” e një kulture politike e ndërtuar mbi shpifje dhe jo mbi prova, të cilën synon që ta sfidojë me fakte, standarte dhe përgjegjësi publike.

“Kjo çështje nuk është thjesht një tentativë për baltosje personale. Është simptomë e një kulture politike që ka ndërtuar sistemin mbi shpifjen, jo mbi provën. Mbi llumin, jo mbi transparencën e ligjin. Unë nuk jam këtu për ta ushqyer këtë kulturë, por për ta sfiduar atë, me fakte, me standarde dhe me përgjegjësi publike. Ky është terreni ku unë zgjedh të bëj politikë e të luftoj”, thekson ai.

Reagimi i plotë i Belind Këlliçit:

Në kulmin e hetimeve për aferën korruptive Rama–Balluku, është hedhur publikisht një pretendim i pavërtetë sikur ekzistojnë komunikime mes meje dhe ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, në lidhje me organizimin e protestave para Bashkisë Tiranë.

Faktet janë të qarta dhe publikisht të verifikueshme: Protesta e parë para Bashkisë është zhvilluar më 5 prill 2024, pas arrestimit të drejtorëve të 5D më 28 mars 2024, ndërkohë që Evis Berberi ka qenë i arrestuar dhe në paraburgim që prej datës 14 mars 2024, nën regjimin e kufizuar të komunikimit sipas Kodit të Procedurës Penale dhe rregullores së paraburgimit.

Në këtë periudhë, ai nuk ka pasur akses në komunikime të lira telefonike, elektronike apo takime fizike, përveç atyre të autorizuara dhe të dokumentuara zyrtarisht.

Prandaj, është objektivisht dhe ligjërisht e pamundur që një komunikim i tillë të ketë ekzistuar.

Çdo hetim i thjeshtë zyrtar nga SPAK ose çdo media investigative mund të verifikojë lehtësisht regjistrat e komunikimeve, autorizimet e takimeve, si dhe protokollet e kontakteve të paraburgimit dhe të konstatojë jo vetëm mungesën e komunikimit, por edhe pamundësinë fizike e juridike të ndodhjes së tij.

Personalisht nuk jam pjesë e konflikteve të brendshme të asnjë partie, nuk përdor kanale të ndërmjetme komunikimi dhe nuk jam instrument në luftëra politike apo propagandistike.

Për këtë arsye, nuk do ta trajtoj këtë çështje si debat publik, por si shpifje të qëllimshme, që do ta ndjek në rrugë ligjore sipas neneve të Kodit Penal.

Ftoj çdo media serioze, gazetar investigativ apo institucion të hedhë dritë mbi faktet dhe të publikojë çdo komunikim të pretenduar, nëse ekziston.

Kjo çështje nuk është thjesht një tentativë për baltosje personale. Është simptomë e një kulture politike që ka ndërtuar sistemin mbi shpifjen, jo mbi provën. Mbi llumin, jo mbi transparencën e ligjin.

Unë nuk jam këtu për ta ushqyer këtë kulturë, por për ta sfiduar atë, me fakte, me standarde dhe me përgjegjësi publike. Ky është terreni ku unë zgjedh të bëj politikë e të luftoj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT