“Atentati i VITIT, vrasje si në Meksikë”, eksperti i Kriminalistikës komenton lëvizjet e autorëve dje në Rinas: Vetëm grupet e “El Chapos” të vrasin ditën për diell, s’janë shqiptarë

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka komentuar ngjarjen e rëndë të ndodhur pranë aeroportit të Rinasit, ku në një atentat me armë zjarri u vra Gilmando Dani dhe mbeti i plagosur punonjësi i AMP-së, Muçi Shaljani.

Sipas Karamuços, atentati mban të gjitha shenjat e një ekzekutimi të mirëorganizuar nga struktura kriminale të fuqishme, të cilat ai i përshkruan si më shumë se dy grupe që po përplasen aktualisht në botën e krimit.

Eksperti thekson se zgjedhja e vendit, mënyra e veprimit dhe intensiteti i zjarrit dëshmojnë për një operacion të planifikuar me kujdes nga profesionistë të mirëtrajnuar dhe që mund ta quajmë si “atentati i vitit”.

I ftuar në emisionin “Now” me gazetaren Erla Mëhilli, Karamuço bëri të ditur se sulmi është kryer me armë të gjata nga qitës të stërvitur, të cilët mund të jenë pjesë e karteleve ndërkombëtare dhe jo domosdoshmërisht shtetas shqiptarë.

“Qitësit kanë qenë profesionistë, kanë qëlluar me precizion nga distancë e largët. Të përzgjedhur si pjesë e karteleve, ndoshta të huaj. Skema ngjan me ngjarjet që ndodhin në Meksikë, mes grupeve të tipit “El Chapo”, ku atentatet kryhen ditën për diell dhe në zona të mbrojtura,” deklaroi Karamuço, teksa më tej bëri me tije se Gilmando Dani, 47-vjeçari që mbeti i vdekur një ditë më parë dhe i njohur si pjesë e grupit të Emiljano Shullazit, ishte liruar nga burgu në vitin 2024, në heshtje të plotë dhe me kusht.

“Ngjarja ka ndodhur në një zonë me siguri të lartë, pranë aeroportit, njësoj si në rastet ku grupet kriminale ndërkombëtare kryejnë ekzekutime demonstrative. Kudo në botë, grupe të tilla tashmë konsiderohen organizata terroriste,” përfundoi eksperti i kriminalistikës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT