As TIMS dhe as policia, u tradhtua nga biletat e udhëtimit! Dyshimi se si agjencia e “shiti” te kundërshtarët

Gilmando Dani u ekzekutua pasditen e sotme në rrethrrotullimin e Aeroportit të Rinasit, teksa po udhëtonte me një automjet tip Benz – S Class ngjyrë të bardhë. Dani ishte pasagjer ndërsa miku i tij, Muçi Shaljani Sheqeri, shofer. Ky i fundit mbeti i plagosur, ndërsa ndodhet në gjendje kritike për jetën në spitalin e Trauës pasi ka marrë dhe një plumb në kokë.
Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani sapo kishin zbritur në tokën shqiptare rreth orës 13:55 të kthyer nga Barcelona. Rreth 25 minuta më vonë, afërsisht në orën 14:20 ka ndodhur dhe atentati. Ajo që bie në sy është koordinimi i autorëve të krimit me shënjestrat.
Gazetari Elton Qyno raporton se autorët kanë marrë dijeni për lëvizjet e dy personave nga agjencia e udhëtimit që ka prerë biletat e tyre. Dyshohet se ka qenë kjo agjenci nga ku ka rrjedhur informacioni tek anëtarët e grupeve kriminale, të ciët më pas kanë organizuar dhe vrasjen.
Automjeti me të cilin po udhëtonin dy miqtë, ka ndodhej në parkingun e brendshëm të aeroportit që prej datës 7 nëntor, kur dhe ishin nisur drejt Spanjës. Makina ‘Benz’ rezulton të jetë në pronësi të Ervis Kosovës, të cilit disa kohë më parë iu vendos tritol në një garazh të tij në Tiranë.
Që prej nisjes në aeroport, e deri në vendin e ngjarjes, automjeti i autorëve ka ecur paralelisht me atë të shënjestrave. Në rrethrrothullim autorët kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi, të gjitha plumbat e zbrazur nga ana e shoferit. I vdekur në vend mbeti pasagjeri Dani, ndërsa Shaljani ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Burime për media gjithashtu raportuan se pas të shtënave me kallashnikov, njëri prej autorëve ka dalë nga automjeti dhe me pistoletë në dorë ka qëlluar nga distanca e afërt. Automjeti tip Toyota u gjet i djegur rreth 2 orë më pas në fshatin Halil të Fushë Krujës dhe brenda janë gjetur 3 kallashnikovë dhe 1 pistoletë që dyshohet se janë përdorur në atentat.