Anijet luftarake amerikane drejt Karaibeve, Venezuela njofton “mobilizim masiv” si përgjigje ndaj “kërcënimit imperialist” të Donald Trump

Venezuela ka nisur një “mobilizim masiv” të personelit ushtarak, armëve dhe pajisjeve në përgjigje të grumbullimit të anijeve luftarake dhe trupave amerikane në Detin e Karaibeve.
Forcat tokësore, ajrore, detare dhe rezervë do të kryejnë ushtrime deri të mërkurën, sipas Ministrit të Mbrojtjes Vladimir Padrino López, i cili e përshkroi vendosjen si një përgjigje ndaj “kërcënimit imperialist” që paraqet përqendrimi i SHBA-së.
Përveç njësive të rregullta ushtarake, në ushtrime do të marrë pjesë edhe Milicia Bolivariane – një forcë rezervë e përbërë nga civilë, e krijuar nga presidenti i ndjerë Hugo Chávez dhe e emëruar sipas Simon Bolivarit, revolucionarit që siguroi pavarësinë e shumë vendeve të Amerikës Latine nga Spanja.
Padrino López, i cili ia atribuoi urdhrin drejtpërdrejt Presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, tha se qëllimi i stërvitjes ishte “optimizimi i komandës, kontrollit dhe komunikimeve” dhe sigurimi i mbrojtjes së vendit.
Ky veprim vjen në mes të tensioneve në rritje midis dy vendeve, ndërsa përforcimi i trupave amerikane vazhdon. Të martën , Marina Amerikane njoftoi se aeroplanmbajtësja USS Gerald R. Ford – anija luftarake më e madhe e Amerikës – kishte mbërritur në zonën e operacioneve të Komandës Jugore të SHBA-së, e cila përfshin pjesën më të madhe të Amerikës Latine.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, urdhëroi anijen Ford të nisej nga Evropa për në Karaibe në fund të muajit të kaluar.
Grupi goditës që shoqëron Fordin sjell me vete nëntë skuadrone ajrore, dy shkatërrues me raketa të telekomanduara të klasit Arleigh Burke – USS Bainbridge dhe USS Mahan – anija komanduese e integruar e mbrojtjes ajrore dhe raketore USS Ëinston S. Churchill, dhe më shumë se 4,000 marinarë.
SHBA-të e kanë paraqitur grumbullimin e forcave në rajon me qëllim luftimin e trafikut të drogës dhe rrjedhës së drogës në Shtetet e Bashkuara, dhe kanë kryer sulme ndaj shumë anijeve të dyshuara për drogë në javët e fundit.
Muajin e kaluar, presidenti Trump tha se kishte autorizuar CIA-n të vepronte në Venezuelë dhe më parë kishte sugjeruar se po shqyrtonte mundësinë e sulmeve brenda vendit – megjithëse zyrtarët e administratës kanë thënë që atëherë se SHBA-të nuk po planifikojnë aktualisht një veprim të tillë.