BE detyron Shkollën e Magjistraturës, gjyqtarët dhe prokurorët e rinj do të “mësojnë” më shumë në terren (NDRYSHIMET)

Shkolla e Magjistraturës ka miratuar ndryshime mjaft të rëndësishme në programin e formimit të kandidatëve për magjistratë, avokatë shteti, këshilltarë e ndihmës ligjorë.

Me orientim më shumë drejt praktikës, programi i ri i kushton vëmendje të veçantë jo vetëm aftësive ligjore por edhe aftësive jo-ligjore, integritetit dhe etikës.

Jo vetëm kaq. Këto ndryshime duket se adresojnë edhe rekomandimet e Komisionit Europian për Shkollën e Magjistraturës si detyrime që burojnë në kuadrin e procesit të integrimit europian.

Programi qaset drejt mentorimit të kandidatit, drejt përgatitjes së akteve hap pas hapi, drejt debatit, analizës e bashkëveprimit.

Pra, qartësisht fokusi është tek praktika aktive, prekja nga afër e gjithçkaje që synohet të jetë pjesë e përditshmërisë së profesionit.

Me këto ndryshime mjaft thelbësore që garantojnë profesionalizëm, në përfundim të programit të formimit fillestar, kandidatët për gjyqtar, prokuror, avokat shteti dhe ndihmës ligjor do të jenë gati për t’i shërbyer sistemit të drejtësisë.

Komisioni Europian, në një raport të publikuar më herët për sundimin e ligjit dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri, ngriti si shqetësim gjendjen e sistemit gjyqësor në vend me vakanca të shumta të krijuara për shkak të vettingut.

Më tej, në këtë raport theksohej edhe pamundësia e plotësimit të këtij boshllëku, me studentët nga magjistratura, si i vetmi burim që furnizon sistemin me gjyqtarë dhe prokurorë të ardhshëm.

“Një burim shtesë shqetësimi janë kuotat e vendosura nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) për Shkollën e Magjistraturës për vitin akademik 2025-2026, pasi ato janë gjerësisht të pamjaftueshme për të siguruar që, në afat të mesëm, vendet e lira të plotësohen gradualisht. Rritja e numrit dhe cilësisë së kandidatëve për magjistratë dhe asistentë ligjorë të pranuar në Shkollën e Magjistraturës është thelbësore.”-theksonte KE në Raport.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT