Negociatat, sinjale pozitive: KE-ja e ka përfshirë këtë vendim në një nga qëllimet e saj politike për vitin 2020

Shqipëria ka marrë këtë të mërkurë një sinjal pozitiv për hapjen e negociatave nga Bashkimi Europian, pasi KE-ja e ka përfshirë këtë vendim në një nga qëllimet e saj politike për vitin 2020.
Sot Komisioni Evropian miratoi Programin e tij të Punës për vitin 2020, ku përcakton veprimet që Komisioni do të ndërmarrë në vitin 2020 për të shndërruar udhëzimet politike të Presidentit Von Der Leyen në përfitime të prekshme për Unionin por edhe për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.
Një nga gjashtë pikat e programit është hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pas miratimit të metodologjisë së re negociatave
“Komisioni do të vazhdojë të bëjë presion për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Paralelisht, ai do të kërkojë të vazhdojë vrullin e zgjerimit, duke gjetur mënyra për të përmirësuar procesin e pranimit, përfshirë edhe ndryshimin e metodologjinë e zgjerimit dhe përforcimin e investimeve”, thuhet në strategjinë e Komisionit Europian, ku theksohet se ekzekutivi i BE-së do të rrisë bashkëpunimin me vendet e rajonit.
“Ky Komision është i përkushtuar të trajtojë sfidat e kësaj gjeneruese, siç janë ndryshimi i klimës, dixhitalizimi dhe emigracioni. Ne jemi të përkushtuar të arrijmë një marrëveshje për i implementimin e politikave miqësore me mjedisin dhe përmirësimin e transformimit dixhital. Ky program pune do të ndihmojë në ndërtimin e një unioni që përpiqet për më shumë”, deklaroi presidentja e KE-së gjatë prezantimit të programit për vitin 2020.
Ky program i Komisionit pasqyron përparësitë kryesore të vendeve anëtare, duke u ndalur veçanërisht tek klima dhe digjitalizimi.
Komisioni do të propozojë një ligj evropian për klimën që të përfshijë arritjen e neutralitetit të karbonit në vitin 2050. Ai do të hartojë një Pakt Europian për Klimën, pjesë e të cilës ka të ngjarë të bëhet edhe Shqipëria. Një tjetër pikë e rëndësishme e strategjisë së Komisionit Europian duket të jetë edhe transforimi digjital dhe mbrojtja e të dhënave.

Futja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në programin njëvjeçar vjen pasi kancelarja Merkel kërkoi hapjen e negociatave në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të BE-së.
Por kërkesa e kancelares gjermane Angela Merkel për të mos u bllokuar më tej hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut po ndez më tej “luftën” mes saj dhe presidentit Francez Macron. Në një artikull, gazeta britanike ‘Express UK’ shkruan se ndërhyrja në çështjen e negociatave ka të ngjarë të shkaktojë fërkime midis Berlinit dhe Parisit, pasi Presidenti Emmanuel Macron i ka vënë veton disa herë këtij procesi që prej fillimit.
“Kushdo që shikon hartën, që e njeh kontekstin gjeopolitik, e di se është mirë për të gjithë nëse vendet e Ballkanit Perëndimor bëhen gjithashtu anëtarë të Bashkimit Europian një ditë”, deklaroi Merkel gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama në Berlin, kur theksoi se dëshironte të arrinte një marrëveshje për hapjen e bisedimeve më 29 mars.
“Tani do të punojmë shumë për të arritur rezultatet e dëshiruara në mars,” tha ajo. Macron ka kërkuar një proces reformimi për procesin e zgjerimit, sipas të cilit Parisi dëshiron të realizohet para se këto vende të mund të bëhen anëtare.

Por kjo ka shkaktuar përçarje në korridoret e pushtetit sepse të paktën nëntë vende të BE-së kanë refuzuar propozimet franceze.
Por sipas mediave gjermane mundësitë që Shqipëria të marrë dritën jeshile për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian janë rritur.
Vetë Presidenti Macron ka premtuar rishikimin e qëndrimit të Francës nëse ndryshohet metodologjia e procesit të negociatave. Ai i quajti ato “një parakusht për hapjen e negocia-tave me vendet kandidate” edhe pse ndryshimet e propozuara nga Franca janë pritur ftohtë nga një numër i konsiderueshëm vendesh anëtare të BE.
Në një propozim drejtuar Komisionit Europin, (KE), në mes të dhjetorit të kaluar, 9 vende anëtare të BE – Austria, Çekia, Estonia, Italia, Letonia, Lituania, Malta, Polonia dhe Sllovenia i propozojnë KE që “ndryshimet në metodologjinë e procesit të zgjerimit të mos ndikojnë në vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.
Propozimi alternativ i 9 vendeve anëtare të BE është një kundërpërgjigje ndaj atij francez që vendos reformimin e metodologjisë së procesit të zgjerimit, para marrjes së vendimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në këto kushte, hapja e negociatave shihet si e vetmja rrugë është arritja e një kompromisi. Europa është e bazuar mbi kompromisin.
Shpresat për arritjen e kompromisit në favor të hapjes së negociatave me Tiranën dhe Shkupin morën një hov të madh të premten kur Presidentja e KE, Ursula von der Leyen, deklaroi në Zagreb, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin kroat, Andrej Plenković se BE-ja duhet te mbajë premtimet. “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë përmbushur kriteret që u kemi kërkuar për fillimin e bisedimeve të pranimit në BE. Qëllimi është të sigurojmë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut se dera është e hapur dhe ato mund të fillojnë bisedimet e anëtarësimit” theksoi ajo.
