Omonia letër Ramës për problematikat e komunitetit

  • Byroja e Omonias kërkon që bashkëpunimi me Partinë Socialiste duhet të mbështetet mbi politika që respektojnë të drejtat dhe nxisin rritjen ekonomike dhe prosperitetin në zonën e minoritetit dhe jo punësimin e disa individëve.

Luis Tanushi

-Shoqata Omonia është duke punuar për hartimin e një letre e cila brenda shtatorit do t’i paraqitet liderit socialist Edi Rama në lidhje me problematikën që shqetëson komunitetin grek që jeton në Shqipëri.

Kërkesat e Omonias

Siç njofton agjencia e lajmeve “Aftonomi.gr”, në mbledhjen e Byrosë së Omonias është rënë dakord që bashkëpunimi me Partinë Socialiste duhet të mbështetet dhe është në interes të miratimit të politikave që respektojnë të drejtat dhe nxisin rritjen ekonomike dhe prosperitetin në zonën e minoritetit dhe jo punësimin e vetëm disa njerëzve! Takimi i mbajtur më 10 gusht është i pari që prej zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit dhe në axhendë ishin përgatitjet e ardhshme të Këshillit të Përgjithshëm. Në lajmin i cili është shpërndarë në profilin e saj në Facebook dhe nga PBDNJ, thuhet se Kryetari i Omonia-s, Vasilis Bollano, bëri një analizë rreth rezultateve të zgjedhjeve e cila do të thellohet më tej në 15 shtator, të cilat do t’i propozohen Këshillit të Përgjithshëm të ardhshëm. Deri atëherë grupet e punës do të përgatisin dhe dorëzojnë propozimet e tyre për programin e festimeve të Ditës Kombëtare të Greqisë më 28 tetor. Gjithashtu, kreu i Omonias komentoi rreth problematikave të arsimimit të këtij komuniteti në shkollat publike dhe ato private në zonën e Himarës. Ndërsa kryetari i PBDNJ-së, z.Vangjel Dule, tha se të gjithë aktorët duhet të bëjnë më shumë në drejtim të përmirësimit të kushteve të arsimimit, ndërsa informoi Byronë rreth PBDNJ-së dhe bashkëpunimit të kësaj force me Partinë Socialiste. “Aftonomi.gr”, bën të ditur se gjatë mbledhjes, kreu i PBDNJ-së vuri në dukje se bashkëpunimi me Partinë Socialiste duhet të mbështetet dhe është në interes të miratimit të një marrëveshjeje për zbatimin e politikave që respektojnë të drejtat dhe do të nxisë rritjen ekonomike dhe prosperitetin në zonën e minoritetit dhe jo punësimin e disa individëve. Këshilli i Përgjithshëm i ardhshëm do të mbahet më 12 tetor 2013 në orën 11.00 në zyrat e Organizatës në Sarandë. Që prej vitit 2009, PBDNJ ka qenë në aleancë me të majtën. Vangjel Dule ka qenë në qendër të joshjeve politike para zgjedhjeve të përgjithshme nga ana e dy partive më të mëdha politike për të qenë pjesë e koalicionit parazgjedhor, por ai do të zgjidhte që t’i qëndronte besnik së majtës. Dorëheqja e Jani Janit nga KQZ ishte një shenjë e këtij koalicioni.

Marrëveshja

PBDNJ në negociata për zëvendësministra dhe drejtorë

PBDNJ-ja ka një peshë të konsiderueshme elektorale në disa zona në jug të vendit. Edhe në këto momente kur po ndahen postet qeveritare, bëhet e ditur se vijojnë negociatat e pandërprera me Ramën. Edhe pse vetëm me një deputet larg kufirit që lejon prekjen e Kushtetutës, e majta po përpiqet që të maksimalizojë numrat e saj, pse jo të marrë edhe nga e djathta për të plotësuar 84 deputetë që do t’i hapnin rrugën për të realizuar të gjitha reformat e mundshme. Sipas marrëveshjes së firmosur, PS është gati të bashkëqeverisë pas fitores së 23 qershorit me çdo parti në nivel qarku që merr 500-1000 vota dhe në nivel kombëtar për partitë që marrin 5000-10000 vota. Ndërsa me partitë me mbi 10 mijë vota do ketë bashkëqeverisje të shtrirë në nivel vendor dhe qendror. Nëse një parti e koalicionit fiton një deputet drejtpërsëdrejti më 23 qershor, ka të drejtë të kërkojë një vend në qeverisjen e koalicionit, por kjo nuk ndodhi. Për rrjedhojë, edhe PBDNJ-ja pritet që të shpërblehet me post zëvendësministri dhe me poste drejtuesish në drejtori të ndryshme. Nga të gjitha qeveritë, kabineti i Ramës është i pari ku të gjithë ministrat janë me origjinë shqiptare.

“Helsinki”: Policia të reagonte ndaj “Agimit të Artë”

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar në lidhje me incidentet e ndodhura në Himarë me rastin e përkujtimit të Aristotel Gumës duke e cilësuar të papranueshme sjelljen e përfaqësuesve të Agimit të Artë. “Shfrytëzimi i rasteve të tilla për qëllime të errëta dhe provokative nga disa përfaqësues të “Agimit të Artë”, të ardhur nga Greqia në Himarë, pikërisht ditën e kësaj ceremonie, janë jo vetëm të papranueshme por edhe ligjërisht të dënueshme. Përfaqësuesi i “Agimit të Artë”, Kristoforos Tsankas, para varrit të të ndjerit, Aristotel Gumës, guxoi që publikisht të bënte deklarata ekstreme dhe të papërgjegjshme që indinjojnë dhe fyejnë popullin shqiptar, organet e tij vendore, madje edhe qeverinë shqiptare. Në deklaratat e tij, si përfaqësuesi i “Agimit të Artë”, Kristoforos Tsankas, veç të tjerave arriti të shprehej se, Agimi i Artë nuk vinte në Himarë për të ikur, por do të vazhdonte luftën deri në çlirimin e saj”, thekson KSHH.

Mesila Doda: Shteti grek nuk do ta lejonte

Incidenti i ndodhur në Himarë dhe mosndërhyrja e policisë është ndjekur me vëmendje dhe nga deputetët e mazhorancës. Deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, ngre pikëpyetje në profilin e saj në Facebook se cili do të ishte reagimi në shtetin fqinj nëse një parti shqiptare do të vepronte si “Agimi i Artë” në anën tjetër të kufirit. “Nëse dikush nga një parti politike ekstremiste shqiptare do ish-futur në Greqi dhe do të kishte bërë ato që bënë përfaqësuesit grekë të Agimit të Artë në Shqipëri, çfarë do të ndodhte?”, shkruan Doda.

Policia kallëzon neonazistët në Prokurori

Në Fier, policia shoqëron 10 protestues që protestuan kundër “Agimit të Artë”, ndërkohë që në Vlorë ka nisur hetimin lidhur me ngjarjen e 11 gushtit në qytetin e Himarës. Gjatë përkujtimores së shtetasit Aristotel Guma, eksponentë të “Agimit të Artë” bënë thirrje për luftë për të çliruar Himarën. Drejtoria e Policisë së këtij qarku shprehet se janë kryer te gjitha veprimet procedurale dhe materialet janë dërguar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, në ngarkim të disa shtetasve shqiptarë dhe grekë. “Nga ana e strukturave të Drejtorisë Policisë Qarku Vlorë janë kryer të gjitha veprimet e para procedurale dhe materialet janë dërguar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë në ngarkim të disa shtetasve shqiptarë dhe grekë për veprën penale “Thirrje për urrejtje nacionale”, parashikuar nga neni 266 e 25 i Kodit Penal. Drejtoria e Policisë, Qarkut Vlorë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë po punojnë për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje, thuhet në deklaratën e Policisë. Ndërsa në Fier, dhjetëra persona kanë protestuar dje në qytetin e Fierit, kundër thirrjeve antishqiptare të “Agimit të Artë” në Himarë. Protestuesit veshën dy qenë me flamurin grek duke i mbajtur të lidhur me zinxhir, në shenjë proteste ndaj “Agimit të Artë” që zotohet të “çlirojë” Himarën. Policia e Fierit ka shoqëruar në komisariat 10 persona, me pretendimin se protesta ka qenë e paligjshme.

Berisha: Nuk ka ekzistuar kurrë minoriteti grek në Himarë

Himara në shekuj ka qenë dhe mbetet djep i atdhetarizmit shqiptar me kontribute të mëdha në luftërat e vendit për liri, në letrat, artin dhe kulturën kombëtare

Lidhur me incidentin e Himarës, ka thyer heshtjen edhe kryeministri në detyrë Sali Berisha, i cili i ka cilësuar donkishoteste dhe tragjikomike përpjekjen për të gjetur minoritet në Himarë nëpërmjet nekropolitikës. “Një ceremoni mortore e politizuar deri në nazizëm nga një grusht fare i vogël ekstremistësh, vrau këto ditë për së dyti të riun A. Guma. Përpjekjet për të gjetur nëpërmjet nekropolitikës minoritet në Himarë janë donkishoteske dhe tragjikomike. Himara në shekuj ka qenë dhe mbetet djep i atdhetarizmit shqiptar me kontribute të mëdha në luftërat e vendit për liri, në letrat, artin dhe kulturën kombëtare. Në këtë zonë, disa nga fshatrat dhe vetë Himara janë bilingual, por me ADN dhe nëngrupe gjaku identike me fshatrat e tjera që në mijëra vjet nuk kanë folur një fjalë në gjuhën greke apo tjetër përveçse shqipes së bukur. Një ceremoni përkujtimore mortore me politizim ekstrem dëshmon dhe njëherë mjerimin e atyre që duan të gjejnë në të vdekur gjurmët e një minoriteti që nuk ka ekzistuar kurrë në Himarë. Sb”, shkruan Berisha në profilin e tij në Facebook.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT