“U plagos në sulmin ku u vra i ati”, ambasadori iranian në Qipro zbulon arsyen pse djali i Khameneit nuk del në publik

Udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, është plagosur në sulmin e 28 shkurtit që vrau gjashtë anëtarë të familjes së tij, përfshirë edhe babanë e tij. Këtë e konfirmoi ambasadori i Teheranit në Qipro gjatë një interviste për mediat.

Gjatë intervistës së zhvilluar në kompleksin e ambasadës iraniane në Nikosia, ambasadori Alireza Salarian dha detaje mbi rrethanat e plagosjes së Khameneit, 56 vjeç. Sipas tij, udhëheqësi iranian pati fat që i mbijetoi sulmit që shkatërroi rezidencën e babait të tij.

“Ai ishte gjithashtu atje dhe u plagos në atë bombardim, por nuk e kam parë këtë të pasqyrohet në lajmet e huaja”, i tha ai Guardian. “Kam dëgjuar se ai ishte plagosur në këmbë, në dorë dhe në krah… Mendoj se është në spital sepse është i plagosur.”

Gjithashtu ai ka shpjeguar pse kleriku nuk është shfaqur në publik dhe nuk ka bërë asnjë deklaratë që prej momentit kur mori detyrën pas vdekjes së të atit.

 “Nuk mendoj se ai ndihet rehat në asnjë rrethanë për të mbajtur një fjalim,” u shpreh ai.

Sulmi ndodhi në ditën e parë të sulmeve ajrore të udhëhequra nga SHBA kundër Iranit, kur u shënjestrua kompleksi presidencial në zemër të Teheranit.

Sipas ambasadorit, ishte dita e 10-të e muajit të shenjtë të Ramazanit dhe Ali Khamenei ndodhej në rezidencën e tij së bashku me disa anëtarë të familjes, përfshirë bashkëshorten e Mojtaba Khameneit, Zahra, dhe djalin e tyre adoleshent, Mohammad Bagher, të cilët humbën jetën në sulm.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT