Trimëria budallaqe e Presidentit naiv

Nga Denis Dyrnjaja

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi dekretin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve në Tiranë si antikushtetues nuk ishte thjesht një korrigjim juridik. Ishte një akt që ekspozoi qartë një President që, në vend të maturisë shtetërore, vepron me naivitet politik dhe vetëpërdoret, duke injoruar kufijtë kushtetues të funksionit që përfaqëson.

Në vend që të reflektonte pas këtij vendimi, Presidenti këmbënguli se nuk pendohet, duke sfiduar hapur autoritetin e Gjykatës dhe ligjshmërinë e sistemit. Kjo nuk është qëndrueshmëri, por frikë e mbështjellë me retorikë boshe, një përpjekje e dëshpëruar për të fshehur dimensionin penal të një shkeljeje të rëndë që mund ta çojë në shkarkim e ndjekje.

Në fakt, përballë një Parlamenti serioz dhe një sistemi që nuk toleron kapërcimin e kompetencave, Presidenti Begaj do të ishte tashmë në prag të një hetimi për shkelje kushtetuese me pasoja të rënda. Dhe kjo nuk do të ishte as hakmarrje politike, as krizë formal, por një nevojë urgjente për të vendosur përgjegjësinë atje ku duhet: në majën e piramidës shtetërore.

Ai rrezikon të bëhet Presidenti i parë që jo vetëm shkarkohet, por edhe përballet me ndëshkimin penal për shkelje të Kushtetutës. Dhe nuk do të jetë viktimë e ndonjë komploti, por autor i vetëm i vetëfundosjes së tij politike.

Në këtë rast, heshtja e institucioneve nuk do të jetë më neutralitet por bashkëpërgjegjësi e bashkëfajësi. Dhe historia që flet e shkruhet më vonë se ngjarjet nuk do të kursejë as atë që e shkel Kushtetutën, as ata që e nxitën, as ata që lanë të kalojë si diçka normale një precedent të rrezikshëm që rrëzon themelin e shtetit sikurse është ligji themeltar, Kushtetuta!

Back to top button
LAJMET E FUNDIT