“Babain tim e lanë të digjej mes flakëve”, djali i 82 vjeçarit që humbi jetën në Gramsh akuzon shtetin: Dua drejtësi, askush nuk ndërhyri ta shpëtonte

Valter Zhupani, djali 82 vjeçarit Bato Zhupani i cili humbi jetën tragjikisht mes flakëve që përfshinë zonën e Skënderbegasit në Gramsh, ka akuzuar institucionet shtetërore për papërgjegjshmëri dhe neglizhencë të qëllimshme.
Valter Zhupani nuk i kurseu fjalët e rënda ndaj shtetit, duke e akuzuar për braktisje të plotë dhe trajtim çnjerëzor ndaj familjes së viktimës.
Ai zbuloi gjithashtu se, në vend që shteti të merrej me shpëtimin e jetëve dhe ndihmën për të prekurit, u përqendrua te presioni mbi familjarët duke ndaluar në polici nënën 75-vjeçare dhe një fëmijë 13-vjeçar, nën akuzën se zjarrin mund ta kishte shkaktuar vetë i ndjeri.
“Po edhe sikur babai im të ishte fajtor, drejtësia duhet të flasë – jo ta lini mes flakëve! Nëse ai është fajtor, burgun do ta bëj unë”, ishte mesazhi i fortë i Valterit në lidhje direkte për “Kafe Shqeto”.
Deklarata e plotë e djalit të 82 vjeçarit:
“Babai im, mirë se ndërroi jetë ashtu siç e ndërroi, por babain tim e kanë lënë mes flakëve shteti shqiptar dhe i bëj thirrje kryeministrit dhe ministrit, brenda mundësive unë dua drejtësinë ta çoj deri në fund dhe nëse babi im është fajtor, burgun do e bëj unë, se mua më vjen zor dhe nuk kam surrat t’i dal zonës time para kur ata e dinë se zjarrin e ka vënë babi im.
Këto fjalë i kanë nxjerrë mediat dhe ato media që kanë qenë atë natë të cilat nuk janë interesuar se ku ishte kufoma apo kush vajti për ta tërhequr kufomën nga flakët. Dhe unë atë ditë nuk ndodhesha në Shqipëri, por në shtetin grek.
Unë kam bërë disa telefonata që andej, dhe askush nuk më është përgjigjur, përveç një inspektori të zonës që kemi ne në qendrën administrative ‘Skënderbegas’.
Herë pas here i thoja: ka ndodhur çfarë ka ndodhur, vetëm mos ma lini të bëhet hi. Aty duket mjaft qartë edhe nga videoja, aty nuk ka dashur shteti më ndërhyrje për ta marrë si kufomë, por e kanë lënë nga ora 12, dhe e kanë lënë gjer në orën 9 të darkës, kur falë Zotit dhe jo se i kam kushërinj të parë, por i kanë dalë vëllezërit, kanë vajtur ato e kanë tërhequr babain tim.
Shteti shqiptar ka mbajtur një fëmijë të mitur 13 vjeç dhe nënën time 75 vjeçe në institucionet e policisë të Gramshit dhe vetëm i bënin kërcënime që zjarrin e keni vënë ju, kurse për babain tim nuk u interesua shteti shqiptar të cilët kanë helikopter për të tërhequr kufomën.
Vdiq si vdiq babi im, nga asfiksimi apo diçka tjetër, vetëm Zoti lart e di. Kur ata e lanë mes flakëve, nuk u interesua askush: “Ore, çfarë po bëhet me këtë kufomë?”, por falënderoj Zotin që të paktën nuk ma bëri hi. E kam futur në varr tamam kufomë.
Nuk kam as çfarë shtoj, as çfarë heq, asgjë. Më ka ardhur një mesazh nga djali i infermierit të fshatit ku më ka thënë që shtëpitë tuaja janë djegur, por interesohu për personat. Jam munduar të lidhem me ta, por nuk kishte lidhje interneti, ishte gjithçka e shkrumbuar, as drita nuk ishte.
Kur u lidha me mamanë time përmes një kushëriri tim, as aty nuk kishte valë, e flisja me shkëputje”.