Telefonata që çoi në ‘shtetrrethimin’ e Elbasanit, kush janë eksponentët e njohur të krimit që u arrestuan sot, mes tyre dhe ish-deputeti (EMRAT)

Një aksion policor është zhvilluar mesditën e sotme në një biznes me vendndodhje në fshatin Katund i Ri pranë aksit rrugor Elbasan- ish Metalurgjik. Operacioni është iniciuar pas një telefonate të mbërritur në sallën operative të Policisë së Elbasanit ku është raportuar se në një biznes në zonë, ndodheshin disa persona që ishin të armatosur, bëjnë me dije burime për media.
Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje duke vënë në pranga 10 persona. Nga kontrollet u gjetën dhe u sekuestrua dhe një armë zjarri.
Në mesin e personave të arrestuar është Maks Lika si dhe Bujar Muça, i njohur si biznesmen, por dikur pjesë e botës së politikës. Bujar Muça ka kandiduar për deputet në vitin 2017 nën logon e Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU) e drejtuar nga Shpëtim Idrizi. Në atë kohë, Muça e fitoi mandatin për të dhënë dorëheqjen pas disa muajsh duke e arsyetuar vendimin, për arsye personale.
Deri më tani, ajo çfarë dihet është se të gjithë personat e arrestuar janë eksponentë të botës së krimit dhe se ky operacion është i një rëndësie të lartë. Deri më tani nuk janë bërë publik emrat e tyre dhe as rrethanat e plota të zhvillimit të operacionit apo akuzat që rëndojnë mbi personat e arrestuar.