Zbardhet raporti i KLSH-së/ Kaosi që gjeti Arta Marku në zyrat që i la Llalla
Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, i cili u largua përfundimisht nga sistemi i drejtësisë, për t’i shpëtuar procesit të Vetingut, i ka dorëzuar pasardhëses së tij, Arta Markut, një institucion kaotik, pa objektiva strategjike, me struktura të pabazuara në rregullore, me mbledhje të pa dokumentuara, me një audit të brendshëm jashtë funksionit etj, shkruan shqiptarja.com.
Rrëmuja në organin qendror të akuzës është konstatuar nga një grup auditi i Kontrollit të Lartë Shtetit.
Raporti i kontrollit është firmosur nga kreu i KLSH në 15 dhjetor 2017, tre ditë para largimit të Adriatik Llallës dhe emërimit të Arta Marku.
E njëjta situatë kaotike dhe i njëjti mentalitet është reflektuar edhe në prokuroritë e rretheve, ku janë mbajtur të ‘ngrira’ dosjet e krimit të korrupsionit, janë mbyllur dosje si dhe janë ndryshuar akuzat në mënyrë të paligjshme.
Shembulli me ilustrues për këtë situatë është Prokuroria e Elbasanit, ku menjëherë pas largimit të drejtuesit, janë hapur disa dosje të rënda korrupsioni dhe krimi. Për këtë situatë, kryeprokurorja Arta Marku ka ngritur një grup pune, i cili po kontrollon veprimtarinë e të gjithë prokurorëve.
Në raportin e KLSH-së ndër të tjera thuhet se, vitet e fundit në Prokurorinë e Përgjithshme nuk funksiononte auditi i brendshëm. “Nga auditimi mbi veprimtarinë e Njësisë së Auditit të Brendshëm u konstatua se plani strategjik & plani vjetor gjatë periudhës objekt auditimi, nuk i është përmbajtur formatit sipas manualit të auditimit të brendshëm, i cili duhet të përmbajë misionin, vizionin, objektivat strategjike, strategjinë e auditimit për një periudhë 3-5 vjeçare, sikundër kërkohet në ligjin nr. 114 datë 22.10.2015″.
KLSH ka konstatuar se nga magazinat kanë dalë mallra pa u shoqëruar me urdhra se në pronësi të kujt do të kalonin. Kjo ka ndodhur edhe me makinat e prokurorëve.
Sipas raportit, një veprim i tillë rrezikon procesin e monitorimit të sistemeve për ruajtjen dhe mbrojtjen e aktiveve dhe të dokumentacionit te njësisë.
Gjithashtu, komisioni ka marrë në dorëzim mallrat pasi kanë hyrë në magazina.
“Nga auditimi i fletë-hyrjeve dhe fletë daljeve të magazinës u konstatua se, në disa raste relacioni nga komisioni i ngritur për marrjen në dorëzim dhe vlerësimin e mallrave është përgatitur pasi mallrat janë bërë hyrje në magazinë, dhe jo si kundër kërkohet në Udhëzimin nr. 30 datë 27.12.2011 “Për Menaxhimin e Aktiveve në njësitë e Sektorit Publik” pika 42-50. Ky veprim shkakton risku se specifikat e mallit të marrë në dorëzim, të mos jenë në përputhje me kriteret e parashikuara”, thuhet në raport.
Sipas raportit, në Prokurorinë e Përgjithshme nuk është rishikuar plani strategjik, duke ndikuar në mospërcaktimin e qartë të proceseve të punës.
“Mos rishikimi i Planit Strategjik, në institucion ka shkaktuar mos rishikimin e vazhdueshëm të objektivave të programeve, aktiviteteve dhe projekteve, që duhet të realizohen përmes proceseve të punës. Sa më sipër gjithashtu ndikon në mos përcaktimin e qartë të proceseve të punës”, thuhet në raport./ZgjohuShqiptar.info