Taulant Balla merr në mbrojtje Bajram Begajn, i përgjigjet “flakë për flakë” Gazment Bardhit: Nuk do ta shkarkojmë, ju keni dorëzuar kërkesë edhe për Pëllumb Pilinçin

Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla i ka kthyer përgjigje kolegun të tij demokrat, Gazment Bardhit, i cili vetëm pak më herët njoftoi se Partia Demokratike ka depozituar zyrtarisht kërkesën për shkarkimin nga detyra të presidentit Bajram Begaj.
Në një deklaratë për mediat Balla hodhi poshtë këtë kërkesë të Bardhit duke u shprehur i qartë dhe i prerë se “presidenti nuk do të shkarkohet”. Madje, socialisti shtoi se presidenti Begaj nuk ka shkelur Kushtetutën as në rastin e derketimit të zgjedhjeve të 9 nëntorit në Tiranë, ndonëse Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë këtë dekret të kreut të shtetit.
“Në vlerësimin tim presidenti i Republikës nuk ka kryer asnjë shkelje. A ka ngelur në një institucion që nuk ka kërkesë për shkarkim”, tha Balla, teksa më tej ironizoi kërkesat e njëpasnjëshme të demokratëve për shkarkimin e krerëve të institucioneve.
Balla: Unë nuk merrem me thashetheme, kam dëgjuar në mediat tuaja një nga ato strishat Bardhi dy pika: Begaj është i paburrë. Tani unë po ju them gjë kjo gjëja që sapo pashë nuk lidhet me personin që e ka thënë, rëndësi ka që të ketë dhe një etikë në marrëdhënien me presidentin. Presidenti i Republikës nuk ka kryer asnjë shkelje dhe nuk do të shkarkohet. Kush je ti që e thua këtë?
Gazetaria: Ai ka shkelur Kushtetutën përderisa Kushtetuesja e pezulloi dekretin e tij
Balla: Në vlerësimin tim presidenti i Republikës nuk ka kryer asnjë shkelje. A ka ngelur në një institucion që nuk ka kërkesë për shkarkim.
Gazetaria: Po flasim për rast konkret
Balla: Dëgjova që do shkarkojnë edhe Pëllumb Pilinçin. Nuk do shkarkohet, shkeljen e Kushtetutës e vërteton Gjykata jo ky personi. Çfarë përgjigje do nga unë?