Shqipëria, një tjetër hap drejt integrimit! Nga nëntori, vendi bëhet pjesë e sistemit të pagesave të shpejta

Duke nisur nga muaji nëntor, qytetarët dhe bizneset shqiptarë do të mund të përdorin sistemin e pagesave të menjëhershme (TARGET Instant Payment Settlement – TIPS Clone), i cili do t’u mundësojë atyre transferimin e parave nga një llogari në tjetrën brenda vetëm pak sekondash.

Lajmi u dha nga presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde.

“Mezi pres lançimin në muajin nëntor në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut të platformës për shlyerjen e pagesave të menjëhershme, e cila përdor teknologjinë e TIPS, Sistemit të Pagesave të Shpejta të Euro Systems. Në fillim të kësaj jave, kjo platformë u vu në zbatim për qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës, si dhe ata të Malit të Zi. Deri në vjeshtë do të kemi sjellë të gjitha vendet e rajonit si pjesëmarrëse në iniciativë në këtë platformë”, tha Christine Lagarde.

Transferimi i parave do të jetë i mundur 24 orë në ditë, çdo ditë të vitit, përfshirë fundjavat dhe festat.

Vënia në funksion e platformës TIPS Clone do të përfshijë njëkohësisht të gjitha bankat që operojnë në tregun vendas.

Përveç shpejtësisë, pagesat e menjëhershme sjellin edhe kosto më të ulëta. Për shembull, tarifa për dërgimin elektronik të parave deri në 200 euro është e kufizuar në pesë centë.

I njëjti rregull vlen edhe për pranimin e pagesave të menjëhershme deri në 200 euro. Ndërsa për pagesat mbi 200 euro, tarifa nuk mund të jetë më e lartë se ajo që banka aplikon për një transfertë të zakonshme parash nga llogaria në llogari.

Funksionimi i sistemit TIPS Clone shihet si një nga reformat më të rëndësishme në sistemin e pagesave dhe një tjetër dëshmi se integrimi evropian sjell përfitime konkrete për qytetarët dhe ekonominë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT