Letra e Merkel për Bundestagun: Negociata me kushte për Shqipërinë

Ditët në vazhdim janë vendimtare për Shqipërinë nga ku do të mësohet se cili do të jetë qëndrimi zyrtar dhe vota e Gjermanisë, Holandës dhe Francës në Këshillin e BE-së për çeljen e negociatave me Shqipërinë.

Një burim diplomatik i tha Report TV se qeveria gjermane i ka dërguar paraditen e të mërkurës një letër për të marrë mendimin e Bundestagut për votën gjermane në Këshillin e BE që mblidhet me 28 dhe 29 Qershor.

“Qeveria gjermane në këtë letër është pro çeljes së negociatave me Shqipërinë por ka vendosur disa kushte”, deklaroi burimi diplomatik.

Në Bundestagun gjerman ekziston një rrymë e fortë deputetësh që nuk e duan zgjerimin e BE.

Ndërkohë edhe qeveria holandeze ka kërkuar mendimin e parlamentit.

Paraditen e të enjtes 21 Qershor, komisioni parlamentar holandez që merret me çështjet e zgjerimit të BE do të japë rekomandimin se cila duhet të jetë vota holandeze.

Edhe në rast se Gjermania dhe Holanda mund ta zbusin qëndrimin e tyre ndaj Shqipërisë, vendimi i Francës deri këto momente mbetet i palëkundur.

Presidenti Macron disa herë javët e fundit ka bërë deklarata kundër zgjerimit të BE duke paralajmëruar në një farë mënyrë votën franceze në Këshillin Europian.

Gjithsesi njohës të çështjeve të integrimit thonë se jemi përpara një situate kur këtë vendim të rëndësishëm Këshillin Europian do ta marrë në orët e fundit./ZgjohuShqiptar.info

Back to top button
LAJMET E FUNDIT