Nano: Kurti s’ka bërë asgjë për të përmirësuar marrëdhënien me SHBA. Rënia e qeverisë ishte fundi i një martese të pamundur

Deklaratën e kryeministrit Albin Kurti për ekzistencën e një plani Thaçi-Daçiç për shkëmbim territoresh, e bërë pak para se Kuvendit i Kosovës të rrëzonte qeverinë e tij, analisti Mustafa Nano e sheh si një shpjegim që nuk shkon përtej teorive të konspiracionit. Në një lidhje me Skype me studion e lajmeve në TvT, Nano tha se rënia e qeverisë së Albin Kurtit është fundi i një martese të pamundur.
“Nuk jam dakord me Kurtin. Nuk më lë shije të mirë ky lloj shpjegimi që ai dha. Është në vazhdën e shpjegimeve konspirative”, tha ai.
Sipas Nanos, rënia e qeverisë së Kosovës në këtë situatë të vështirë të krijuar nga epidemia, është një zhvillim trishtues.
“Ishte jetëshkurtër sepse kjo qeveri ishte produkt i një martese të pamundur. U deshën javë të tëra dhe muaj të tërë që të bëhej krijimi i maxhorancës. Ky koalicion ishte një martesë e dy partive politike që me njëra-tjetrën nuk kishin asgjë të përbahskët. Rënia e qeverisë është shumë e trishtuar”, tha ai.
Nano tha se Kurti nuk ka ndërtuar marrëdhënie të forta me përfaqësuesit e SHBA-ve dhe mocioni i mosbesimit në Kuvend mund të reflektojë edhe këtë.
“Marrëdhëniet e Albin Kurtit me përfaqësuesit e shtetit amerikan nuk kanë qenë optimale. Ai i ka të vështira këto marrëdhënie. Ai vetë nuk ka bërë asnjë përpjekje për t’i përmirësuar. Për mua është faji edhe i Albin Kurtit”, tha ai.
Në kushtet në të cilat ndodhet Kosova, mbajtja e zgjedhjeve është e pamundur. Sipas Nanos, kjo lë hapësirë për një qeveri emergjence.
“Ka mundësi të kërkohet një maxhorancë e re dhe këtë mund ta bëjë LDK-ja. Mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Mund të ndërtohet edhe një qeveri emergjence, pasi zgjedhjet nuk do të bëhen kaq shpejt. Në harkun e tre muajve nuk besoj se do të ketë zgjedhje”, tha ai.