Tonelata me plehra të bllokuara në Itali, karabinierët nuk lejuan eksportin e tyre drejt Shqipërisë

Në ditët e shkuara, karabinierët dhe punonjësit e doganës së Ankonës sekuestruan një sasi të madhe mbeturinash prej 25 tonësh në portin e qytetit, të cilat do të transportoheshin drejt Shqipërisë. Dy ngarkesa bënë që të dyshonin punonjësit italianë, më 4 dhe 14 shkurt, e në rimorkiot e kamionëve u gjetën pajisje elektrike dhe elektronike, të prishura.
Sipas karabinierëve, këto aparatura nuk ishin gjë tjetër veçse plehra , të cilat do të silleshin nëpërmjet detit në Shqipëri, raporton “Corriere Adriatico.it”. Më 4 shkurt, agjentët dyshuan për pajisje që ishin vendosur në një rimorkio në mënyrë të çrregullt, e gati për t’u nxjerrë jashtë vendit.
Pas kontrolleve të kryera nga Agjencia e Doganave nisi hetimi për një person, i cili akuzohet për menaxhimin paautorizuar të plehrave speciale dhe për tentativë të nxjerrjesh jashtë territorit italian të tyre.
Ndërkohë që më 14 shkurt u zbulua një ngarkesë edhe më e madhe me pajisje elektrike dhe elektronike të prishura. Atyre u mungonte dokumentacioni përkatës, ndërkohë që të vendosura në rimorkion e një kamioni ishin 205 lavatriçe dhe 22 furra elektrike e gjithashtu aparatura të tjera, pesha e totale e të cilave shkonte në 18700 kg.
Edhe këtë herë, ngarkesa do të dërgohej nëpërmjet detit në Shqipëri.
Karabinierët kanë nisur hetimet për tri persona, një shqiptar, një afrikano-verior dhe një italian për kryerjen e veprave penale të trafikut të mbeturinave speciale jo të rrezikshme.
Pak ditë më parë, u bllokuan sasi të mëdha të amiantit e dhjetëra fuçive me substanca të rrezikshme në bordin e një trageti të linjës Brindizi-Vlorë. Mediat italiane, raportuan se kompanitë e përfshira, kishin marrë 15 porosi më parë të ngjashme, që vinin të gjitha nga Italia.
SPAK-u ka nisur hetimet, ndërsa po hetohen gjashtë persona të përfshirë në këtë çështje. Ndërkohë, nga autoritetet shtetërore ende nuk ka një përfundim për substancën që gjendet në fuçitë e sekuestruara.
Në vitin 2012, pat dalë në dritë një hetim Italian I cili nxirrte në pah skandale në seri për mbetjet toksike që kishin hyrë në Shqipëri gjatë viteve 2007-2008. Asokohe thuhej se një biznesmen italian, i lidhur me krimin e organizuar, ishte përfshirë në tregun e mbetjeve në vendin tonë, e sipas investimit, ne eksportin e mbetjeve në Shqipëri, ishte përfshirë krimi i organizuar.
