RTSH fole parazitësh, gjysma e buxhetit rroga: Dështim në edukim, ritransmetojnë ndërsa paratë për punë krijuese digjen

Në raportin e dorëzuar në Kuvend për vitin 2024, Radio Televizioni Shqiptar, RTSH paraqet një një situatë të zymtë financiare dhe programative.
RTSH thekson gjithashtu se struktura financiare mbetet e rënduar me mbi 52 për qind e buxhetit të dedikuar për paga dhe sigurime shoqërore dhe “duke kufizuar ndjeshëm investimet në përmbajtje dhe teknologji”.
Një tjetër tregues shqetësues, sipas raportit, “ishte mosrealizimi i fondit prej 12 milionë lekësh te planifikuar për mbështetjen e prodhimeve të pavarura, i cili mbeti i papërdorur gjatë gjithë vitit”.
Në një pasqyrë të detajuar të të ardhurave dhe shpenzimeve, raporti vë gjithashtu në dukje se operatori publik gjatë vitit 2024 nuk i ka zbatuar shumicën e rekomandimeve që Kuvendi i kishte lënë si detyrë dhe që lidhen me zgjerimin e përmbajtjes edukuese për të moshat e reja dhe transparencën e shpenzimeve.
Sipas RTSH, përmbajtja e dedikuar për fëmijë dhe të rinj përbën vetëm 3 për qind të programacionit total. “Një shifër e papërputhshme me praktikat dhe standardet evropiane,” pranohet në raport.
Më tej pranohet gjithashtu se “mungesa e transparencës në publikimin e shpenzimeve, strukturave organizative, punësimeve dhe vendimmarrjes së bordeve e dëmtoi besueshmërinë dhe llogaridhënien publike”.
Nga pikpamja e përmbajtjes, raporti evidenton se disa kanale funksionuan kryesisht përmes ritransmetimeve dhe pa një linjë editoriale të qartë, duke e zhvlerësuar diversitetin e ofruar ne letër, si dhe nuk u arrit digjitalizimi i plotë i arkivës.
Prej prillit 2025, RTSH drejtohet nga gazetarja Eni Vasili.
Në teori, transmetuesi është politikisht i pavarur, por Këshilli Drejtues zgjidhet nga parlamenti, i cili dominohet nga Partia Socialiste në pushtet.
Në fillim të këtij viti, parlamenti shkarkoi dhe më pas zgjodhi me konsensus politik bordin e ri, i përbërë nga këshilltarë politikë apo individë të angazhuar politikisht, duke ngritur shqetësime edhe nga delegacioni i Bashkimit Europian si një akt që bie ndesh me angazhimet e marra në rrugën e anëtarësimit.