BE ndryshon buxhetin, gati 100 milionë eurot për rindërtimin në Shqipëri

Ambasadori europian në Shqipëri, Luigi Soreca, njofton se Këshilli Europian ka ndryshuar buxhetin e vitit 2020 për të siguruar mbështetje shtesë aty ku ka nevoja emergjente.
Ndryshimi i buxhetit përfshin edhe shumën prej 100 milion euro të premtuara nga Komisioni Europian në shkurt të këtij viti për të mbështetur procesin rindërtimit pas tërmetit të nëntorit në Shqipëri. “Premtimi u mbajt. Bashkimi Europian qëndron përkrah Shqipërisë” shkruan Soreca në Twitter.
Vendimi është përshëndetur menjëherë dhe nga kryeministri Edi Rama. “Një lajm i mirë që pavarësisht hallit të madh të pērballimit të pasojave të kësaj lufte botërore, BE i qëndroi angazhimit të 17 shkurtit në Bruksel dhe 100 milionë € e premtuar nga Komisioni Europian për rindërtimin, u alokuan në buxhetin e rishikuar të BE 2020”, shprehet kryeministri.
Ndryshimet në buxhetin e BE parashikojnë lirimin e 3.1 miliardë euro për t’iu përgjigjur krizës kundër COVID-19 . Shqipëri pati një goditje të rëndë nga goditja e tërmetit të 26 nëntorit, ku pati dhe 51 viktima. Zonat e Durrës, Tiranës, Shijakut, Vorës dhe Lezhës ishin më të prekur nga tërmeti i fuqishëm që tronditi vendin.