PS e bëri kryebashkiak, Kristian Shkreli mbushi me vota “thesin” e PSD! Edi Rama e paralajmëroi të mos bashkohej me Tom Doshin, SPAK i njoftoi sot akuzat (VIDEO)

 “Kristian mos më luaj me dy porta, Kristian! Mos më luaj me dy porta!”

Këto ishin fjalët e kryeministri Edi Rama në Vaun e Dejës, në një takim përmbyllës të fushatës së 11 Majit me strukturat atje. Vetëm një javë nga dita e zgjedhjeve, Edi Rama e paralajmëroi publikisht kryebashkiakun socialist që të mos bëhej palë me Tom Doshin.

Zërat se situata nuk ishte fort e qetë në zonë kishin shkuar dhe në veshin e kryeministrit, ndaj dhe Edi Rama si rrallëherë, u detyrua ta paralajmëronte publikisht Kristian Shkrelin që të mos luante me dy porta.

Që kryebashkiaku socialist nuk e dëgjoi apelin e kryetarit, kjo është pak po e sigurt, por edhe që ai u përfshi në fushatë për Tom Doshin dhe ka përdorur pushtetin lokal për të mbushur “thesin” e PSD-së, tashmë është bërë e ditur nga SPAK.

Menjëherë pas zgjedhjeve, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë zbarkuar në Vaun e Dejës dhe i kanë sekuestruar celularin Kristian Shkrelit, shoqëruesit të Tom Doshit, si dhe disa zyrtarëve të Partisë SocialDemokrate.

Kristian Shkreli është zgjedhur kryebashkiak i Vaut të Dejës në zgjedhjet e 14 Majit 2023, nën siglën e Partisë Socialiste, por në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025, ai u ka kërkuar banorëve të tij që të votonin për Partinë SocialDemokrate të Tom Doshit.

Sot, më 24 Tetor 2025, Kristian Shkreli, kryetar i Bashkisë Vau i Dejës, është marrë zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme dhe dosja e tij është dërguar për gjykim. Ai akuzohet si person i dyshuar për veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje.

“Nga aktet e administruara gjatë hetimit proaktiv dhe ndjekjes me metoda speciale hetimore, (përgjimet e bisedave telefonike, vëzhgimet, si edhe kryerja e veprimeve të tjera hetimore), në kuadër të procedimit penal nr. 49 të vitit 2025, ka rezultuar se i pandehuri Kristian Shkreli, me detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme në zgjedhjet e zhvilluara më datë 11 maj 2025, për Kuvendin e Shqipërisë.

Gjatë fushatës zgjedhore, Kristian Shkreli u ka premtuar dhe ofruar të mira materiale zgjedhësve të fshatit Stajkë, në Bashkinë Vau Dejës, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik Partia Socialdemokrate e Shqipërisë.

Gjatë hetimit është evidentuar se i pandehuri ka qenë aktiv në fushatën zgjedhore, në mbështetje të këtij subjekti politik, duke shfrytëzuar nevojat e banorëve të fshatit Stajkë për ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të energjisë elektrike, investim i realizuar gjatë periudhës së fushatës elektorale, dhe duke u kërkuar banorëve të kësaj zone votimin për subjektin politik të preferuar prej tij, Partinë Socialdemokrate të Shqipërisë”, njoftoi SPAK.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT