Presidenti dekretoi zgjedhjet për Tiranën, ish-demokratja: Veliaj mund të jetë i pafajshëm, por ka përgjegjësi morale! Begaj i gatshëm për urdhrat e Ramës

Një e ‘papritur’ e madhe ishte sot dekretimi i zgjedhjeve të parakohshme për Bashkinë e Tiranës, përveçse për 5 bashkitë e tjera, nga presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Ish-demokratja Flutura Açka, e ftuar në emisionin ‘Studio Live’, është shprehur se nuk ka asnjë habi nga ana e presidentit, pasi si çdo herë tjetër, ai ka qenë i gatshëm për të firmosur çdo urdhër të Ramës.
Për politikanen, ky duhet të jetë një çast reflektimi për të gjithë politikën shqiptare, ndërsa shton se Veliaj si një i zgjedhur përveç përgjegjësisë juridike, ka një përgjegjësi morale përpara popullit.
“Nuk ka ndonjë habi që presidenti ka dekretuar datën. Në përgjithësi, presidenti ka qenë gjithmonë më shpejt seç e mendojmë ne apo procedurat e shtetit kur vjen puna për urdhrat e Ramës. Nuk ka treguar asnjëherë hezitim, kështu që nuk më duket si habi, por problemi është pak më i thellë.
Ja u vendos data, a jemi në përputhje të plotë të ligjshmërisë? Por para se të shkojmë tek kjo, ky moment a është një çast reflektimi se çfarë do të ndodhë me politikën shqiptare. Duam nuk apo nuk duam ne, zoti Veliaj mund të jetë i pafajshëm, por në këto momente është nën akuzë dhe çdo nëpunës i lartë i shtetit dhe aq më tepër një i zgjedhur ka një përgjegjësi edhe morale, përtej asaj juridike”, tha Açka.
Sot, presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka firmosur dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 6 bashki të vendit më datë 9 nëntor. Dekreti është firmosur një ditë pasi në zyrën e tij mbërriti shkresa e dërguar nga kryeministria ku shpallej vakanca për bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik.
Por, ngërçi qëndron me bashkinë e Tiranës ku Këshilli Bashkiak propozoi shkarkimin e Veliajt dhe Këshilli i Ministrave e firmosi bazuar në nenin 62 të Vetëqeverisjes Vendore, me argumentin se nuk është paraqitur në detyre për më shumë se 3 muaj.
Në momentin e firmosjes së shkarkimit, Erion Veliajt i lind e drejta për të ankimuar vendimin në Gjykatën Kushtetuese, akt që ai e ndërmori. Në këto momente, deri në shpalljet e vendimit të GJK-së, çdo procedurë tjetër pezullohet. Por, kjo nuk e ka penguar presidentin të dekretojë datën e zgjedhjeve, me argumentin se shkarkimi i Veliajt duhet të trajtohet nga Gjykata Administriative pasi është pushuar për mosparaqitje në punë dhe jo nga Gjykata Administrative.