Universiteti Disfunksional i Tiranës si pasqyrë e luftës Ministri-Bord-Rektor-Dekanë

Nga Edmond Çata PHD
Kush i jep llogari kujt në Universitetin e Tiranës? Sot, ashtu siç është, Universiteti i Tiranës është një institucion disfunksional ku askush nuk i jep llogari askujt!
Kujt i jep llogari Rektori Koni? I jep gjë Bordit të UT? Kjo nuk ndodh! Sepse Bordi nuk është autoriteti më i lartë dhe superior i universitetit. Rektori Mynyr Koni nuk emërohet nga Bordi por është person i zgjedhur. Ndërkohë antarët e Bordit ose zgjidhen, ose emërohen. Kësisoj, Rektori i Universitetit të Tiranës nuk mendon se duhet ti japë llogari Bordit për veprimet apo mosveprimet e tij, për problemet që ka Universiteti I Tiranës dhe i duhet dhënë zgjidhje, apo edhe për rrugët dhe mjetet e ballafaqimit dhe zgjidhjes së problemeve të universitetit.
A i jep Rektori llogari Ministrit të Arsimit? Ndonëse çdo Ministër mendon se Rektori, minimalisht duhet të zbatojë urdhërat që lëshon Ministria, dhe në një kontekst më të gjërë të raportojë në Ministri në ç’mënyrë ka menaxhuar probleme të ndryshme. Pavarësisht urdhërave që Ministria lëshon, praktika e llogari-dhënies nuk materializohet edhe aq kollaj jo vetëm për shkak të idesë së “autonomisë” por edhe të legjitimitetit të tyre. Rektori është person që zgjidhet nga brënda Universitetit dhe Ministri thjesht pranon rezultatin. Ndërsa vetë Ministri, dje Nikolla, sot Shahini, emërohet politikisht. Llogari-dhënia bëhet akoma më e pavënd nëse në ministrinë e arsimit, marrëdhëniet me universitetin lihen në dorë të një ministri, zvvëndës ministry, apo drejtorëve e specialistëve që nuk ia ka haberin punëve dhe funksionimit të universitetit! Sigurisht, Ministri mendon se ka aq fuqi sa tia mbledhë Rektorit. Siç ka ndodhur në rastin e kontrolleve për “ligjshmëri” që ekipe të Ministrisë i kanë bërë Rektorit Koni. Ose Ministri mund të kërkojë edhe shkarkimin e Rektorit, siç praktikisht tentoi Shahini. Por konflikti Koni-Shahini nxori zbuluar limitet e “fuqisë” së Ministrit të Arsimit në raport me Rektorin. Në këtë konflikt, fuqia e ministrit nuk shkoi dot përtej bërjes së presionit, deklaratave për shtyp, apo kërcënimit për moszgjedhje më Rektor. Dihet se si përfundoi dueli. Shahini dështoi të shkarkonte Rektorin Koni pikërisht sepse si person i zgjedhur, mbajtjen apo shkarkimin e tij e ka në dorë Presidenti. Ilir Meta refuzoi ta shkarkonte dhe Mynyr Koni vazhdon edhe sot të jetë Rektor!
Po Dekanët kujt i japin llogari? Rektorit? Bordit? Senatit? Edhe Dekanët, në gjëndjen aktuale të UT nuk i japin llogari askujt! Nuk i japin llogari Rektorit, ndonëse ky në rang është superior i tyre dhe as shkarkohen dot prej tij. Sepse siç është Rektori person i zgjedhur, ashtu janë edhe vetë Dekanët persona të zgjedhur! Të qënurit i “zgjedhur” shpjegon edhe kurajon e ish-Rektorit Dhori Kule, të ri-bërë Dekan, për të hyrë në konflikt dhe për ti bërë karshillëk Rektorit Mynyr Koni! Sigurisht, në guximin e Dekanit Dhori Kule për ti bërë bllok Rektorit Mynyr Koni kanë pjesën e vet edhe arsye të tjera të natyrës sa jo-akademike, aq edhe politike. Por ideja e të qënurit “i zgjedhur” përbën një faktor jo pak të rëndësishëm në pozicionimin që marrin dhe rolin që luajnë Dekanët në Universitetin e Tiranës.
Dekanët nuk i japin llogari as Senatit, ndonëse përfaqëson një organ kolegjial, dhe as shkarkohen dot prej tij. Sepse Dekanët janë persona të zgjedhur me përgjegjesi konkrete si drejtues dhe vendim-marrës për Fakultetin. Ndërsa Senati, ndonëse i zgjedhur, përgjegjësitë i ka më të përgjithshme! Kjo pabarazi nw peshw shpjegon ankesën e Mynyr Koni se një grup dekanësh i sabotuan realizimin e mbledhjes së Senatit të thirrur nga ai në kapacitetin e Kryetarit të Senatit!
Dekanët nuk i japin llogari as Bordit të Administrimit dhe as nuk shkarkohen dot prej tij. Të dy organet zgjidhen, por në mëndjen e dekanëve akti i të zgjedhurit Dekan konsiderohet ku e ku më i rëndësishëm sesa akti i të zgjedhurit antar Bordi. Dekanët nuk iu shkon në mënd ti japin llogari Bordit edhe sepse Bordin askush nuk e merr seriozisht por e shohin si një shtojcë të tepërt në strukturën organizative të universitetit. Qënia antar Bordi shihet si një mundësi për të bërë qokën e radhës, sidomos nga Ministria. Ndaj dhe Bordi përfundon i mbushur me kukulla dhe kuklinë, ca nga universiteti, ca nga Ministria. E kush do ta merrte seriozisht dhe ti jepte llogari Laureta Omerit dhe Enida Bezhanit, dy “bordisteve” të Ministrisë së Arsimit, të emëruar së fundi por krejt anonimë në njohuritë dhe qëndrimet publike për funksionimin e universitetit? A ka ndonjë prej këtyr personave ndonjë ide se në ç’mënyrë antarët e Bordit mund të luajnë rolin e duhur për ti dhënë fund katrahurës dhe luftës mes Bordit, Rektorit, Dekanëve, Administratorit, dhe Ministrisë?
Në këto kushte, ku askush nuk i jep llogari askujt, ku Bordi në vënd që të jetë kërthiza dhe autoriteti suprem i UT është vetëm një shtojcë në strukturën organizative, si mund të presësh që UT të shfaq tiparet e një institucioni funksional? Si mund të presësh që drejtuesit e tij, të cilët gjithë ditën e ditës bëjnë luftë me njëri-tjetrin dhe mëndjen e kanë vetëm tek mënyrat e formimit dhe ruajtjes së klaneve “fituese”, të përpunojnë dhe avancojnë politika të zhvillimit institucional, të kërkojë llogari për praktikat e turpshme të plagjiturës, fiktivitetit në kërkim shkencor, dhe korrupsionit material e moral?
Në kushtet aktuale Universiteti i Tiranës është marrë peng! Shahini, Bordi, Administratori, Rektori, Dekanët, me luftën e shpallur apo të pashpallur ndaj njëri tjetrit kanë marrë peng UT dhe e kanë bërë atë disfunksional! E kanë kthyer në një universitet që ha para publike por nuk prodhon as dije, as shkencë. E kanë kthyer në një institucion që është i zhytur në paaftësi, korrupsion, fiktivitet, plagjiaturë por deri tani nuk ka ndëshkuar asnjë sepse askush nuk bën azgjë për këtë. E kanë kthyer në një vatër e cila në vënd të virtytit i ka hapur udhë pandershmërisë, në vënd të dijes i ka hapur udhë simulimit të vesit, në vend të përpjekjes dhe punës së ndershme i ka hapur udhë korrupsionit! I vetmi akt i fundit që na ka mbetur pa parë në këtë dramë, është të shihnim të “pashkarkueshmin” Koni të ngrihej e ti thoshte Shahinit: Do zgjedhje ti, po nuk dua unë! Nuk më do ti rektor, po më do UT!
Përse UT, nga një model që duhet të ishte për gjithë sistemin është shëndrruar në një shesh lufte mes klanesh dhe interesash që vetëm lidhje me arsimin dhe universitetin cilësor nuk kanë? Përse Universiteti i Tiranës, në vënd të ish gjëja më pak e ndotur, burim i dijes, i shpresës, i të ardhmes për rininë, 62 vjet pas themelimit të tij, dhe 30 vjet që pas ndryshimit të sistemit politik ka mbetur në batak? Përse Universiteti i Tiranës në vënd të kish dalë nga bataku i së keqes është zhytyr gjithnjë e më shumë dhe kthyer në sinonim i batakut dhe degradimit? Kush, dhe si, do të mund të ndryshonte këtë situatë katastrofike? A mund të jenë “zgjedhjet” e Majit dhe drejtuesit e rinj pika e kthesës?
*****
Botuar në Dita