Më shumë Bashki dhe ndarje e re e Shqipërisë në Rajone?! Ministri Ervin Demo flet për “modelet e mundshme” në tryezën e Reformës Territoriale

Ministri i shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo është shprehur këtë të mërkurë se socialistët po diskutojnë të gjitha modelet e mundshme për Reformën e re Territoriale, duke theksuar se ende nuk është vendosur diçka për ndarjen në rajone apo shtimin e numrit të bashkive.

“Në mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar, janë diskutuar modele të ndryshme, por nuk ka qëndrime nga Grupi. Ne duhet të ecim përpara me procesin, po analizojmë modele të ndryshme, të cilat nuk i kemi shpikur ne”, është shprehur ai.

Për herë të parë, këtë propozim e ka bërë publik Arbjan Mazniku, bashkëkryetar i Komisionit për Reformën Territoriale në Kuvendin e Shqipërisë, i cili është shprehur se thelbi i propozimit socialist lidhet me ndarjen më të qartë të kompetencave të bashkive dhe rritjen e kapaciteteve për planifikim dhe zhvillim.

Sipas tij, shumë bashki të vogla përballen me mungesë specialistësh, çka e bën të vështirë ofrimin e disa shërbimeve thelbësore, sidomos në fushën e planifikimit urban. Për këtë arsye, një nga opsionet në diskutim është ndarja e vendit në rajone dhe riorganizimi i funksioneve mes niveleve të pushtetit vendor.

Por sot, i pyetur nga gazetarët përpara Kryeministrisë, teksa shpaloste vendimet që ishin marrë në Këshillin e Ministrave, Ervin Demo theksoi se ende “Nuk ka një qëndrim, por kemi diskutuar në parim disa kolona kryesore kur Reforma Territoriale mund të mbështetet.”

Back to top button
LAJMET E FUNDIT