Të pabindurit/ Pranga në duar, Policia dhe ushtria: Nuk është koha për kokëfortësi! (FOTO)

Pavarësisht vendimit ekstrem për të mos lejuar automjete dhe lëvizje në rrugë, shumë qytetarë nuk janë bindur. Por me kokëfortësi kanë marrë automjetet, në shumë raste edhe me familjarë për një xhiro, apo destinacion brenda e jashtë zonës së tyre të banimit.
Por shtetrrethimi nuk ua mundëson këtë dhe Policia, e mbështetur nga Policia Ushtarake dhe trupa të tjera të Forcave të Armatosura kanë ndërhyrë menjëhertë, në shumë raste duke bërë shoqërimin e tyre në komisariat, e duke dhënë mesazhin e qartë se nuk është koha për kokëfortësi.
Në Shkodër, Vlorë, Fier, Durrës dhe Tiranë është shkelur masa e vendosur nga Qeveria, për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Për të pabindur, apo edhe ata që krijojnë konflikt në rrugë me punonjësit e Policisë, urdhri është i qartë: shoqërim forcërisht në ambientet e Policisë.
Masa drastike është shoqëruar edhe me një qarkore të brendshme të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dërguar drejtorive policore në qarqe, në të cilën thuhet se masa është e zbatueshme me cilindo që tenton të shkelë vendimin ekstrem për të mos dalë nga shtëpia.
Sipas burimeve të Policisë, në të gjitha rastet e konstatuara deri tani, dalja në rrugë nuk ka pasur asnjë qëllim pune, apo nevoje të ngutshme, e aq më tepër, që nuk kanë pasur as autorizim përkatës nga Policia e Shtetit, sipas rregullit të vendosur dje në mesditë.
Ndërkohë, nuk janë ndalur as masat administrative. Përveç shoqërimit në komisariat, për shumë persona janë vendosur masa të rrepta shoqëruar me gjobë, pas specifikuar vlerën e saj.
Nga ana tjetër, burime të Policisë bëjnë me dije, se ka një patrullim të shtuar në aksin rrugor Tiranë-Rinas, për të frenuar me çdo mjet e mundësi largimet, apo mbërritjet nga vende të tjera për në territorin shqiptar.