Me shenja në fytyrë, shefja e Infektivit nxjerr foton e koleges ku duken “plagët e luftës”

Mjekët dhe infermierët ndodhen në vijën e parë të frontit të luftës në betejën me koronavirusin. Shefja e Spitalit Infektiv, Najada Çomo ka postuar foton e Luljeta Ramajt, pjesë e personelit mjekësor që po kujdeset për të infektuarit nga koronavirusi.
Në fytyrën e Ramajt, duken qartazi të gjitha shenjat e kuqe që ka lënë maska, të cilën e ka mbajtur gjatë gjithë turnit për të mbrojtur veten nga një infektim i mundshëm.
“Një nga profesionistët e Shërbimit Infektiv që me gjithë shenjat e uniformës së rreptë dhe punës së palodhur, Luljeta Ramaj ofron plot buzëqeshje! E nderuar që jemi bashkë,”- shkruan Çomo në postimin e saj.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se ka shkuar në 361 numri i personave të prekur, ndërsa 20 nga të cilët kanë ndërruar jetë. Të shëruar deri tani janë 104 persona.