Më 17 tetor, në sheshin “Skënderbej”, për mbrojtjen e historisë dhe dinjitetit kombëtar

Nga Migena Aleksi
Më 17 tetor, në orën 17:00, shqiptarët nga çdo trevë thirren të mblidhen në sheshin “Skënderbej” në Tiranë për të shprehur solidaritetin me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për të ngritur zërin kundër përpjekjeve për të njollosur luftën e saj të drejtë.
Nën moton “Unë jam UÇK”, protesta gjithëkombëtare nuk është vetëm një akt përkujtimor, por një deklaratë krenarie, rezistence dhe përkushtimi ndaj së vërtetës historike.
Simboli i UÇK-së mbetet për shumë shqiptarë mishërimi i sakrificës për liri, dhe sot, më shumë se kurrë, ndihen të thirrur ta mbrojnë atë nga padrejtësitë dhe harresa.
Në një kohë kur drejtues të UÇK-së ndodhen pas hekurave dhe historia përpiqet të rishkruhet me gishta të huaj, kjo protestë është një rikthim i zërit qytetar në mbrojtje të asaj që na bashkon: kujtesa, dinjiteti dhe gjaku i derdhur për liri.
“Unë jam UÇK” nuk është vetëm një slogan – është një qëndrim.
