“Nuk e mendoja që do të vlerësoheshe”, Rama i rrëfen skepticizmin që kishte për të, Rakip Suli ia kthen: Kam mision para Zotit që të bëj për ata njerëz

I ftuari i kësaj të diele në podcastin e kryeministrit Edi Rama ka qenë kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli.
Gjatë bisedës, Rama u shpreh skeptik duke thënë se nuk e kishte menduar që Suli do të arrinte të bënte kaq shumë punë në Kamëz dhe të fitonte një mbështetje kaq të madhe nga qytetarët. Nga ana e tij, Suli theksoi se angazhimin në drejtimin e bashkisë e kishte parë si një mision personal, për t’u shërbyer njerëzve që u vendosën në zonë dhe që për shumë kohë nuk kishin marrë vëmendjen e duhur nga pushteti lokal.
“Unë pas betejës jo vetëm të 2011, por e shihja si mision radhë të parë para vetes dhe Zotit që mund të bëja diçka për ata njerëz që erdhën në 91 dhe u sistemuan, por asnjëherë nuk gjetën te pushteti lokal atë që u takonte”, tha Suli, teksa më tej u ndal dhe te risia që Bashkia ka menduar, nisja e një podcasti.
Sipas tij, ideja lindi si propozim i stafit të medias, me qëllimin që një herë në javë të krijohet një hapësirë ku qytetarët të informohen dhe të përfshihen më shumë në vendimmarrjet dhe investimet e Bashkisë së Kamzës.
Në fund të bisedës, Suli tregoi se ambicia për t’u bërë kryetar i bashkisë kishte nisur vite më parë, kur ai ishte ende i angazhuar në biznes dhe kishte filluar të ndërtonte profilin e tij publik. Megjithatë, ai theksoi se realizimi i këtij qëllimi nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen dhe mundësinë që i ishte dhënë nga Rama.
Pjesë nga biseda:
Edi Rama: Nuk e kam menduar që do bëje aq shumë dhe aq mirë dhe do vlerësoheshe me aq simpati dhe me votë nga qytetarët e Kamzës.
Rakip Suli: Unë pas betejës jo vetëm të 2011, por e shihja si mision radhë të parë para vetes dhe Zotit që mund të bëja diçka për ata njerëz që erdhën në 91 dhe u sistemuan, por asnjëherë nuk gjetën te pushteti lokal atë që u takonte.
Dhe sa i përket podcastit do thoja që sepse themeli i demokracisë është vota, por pas votës dhe marrjes së pushtetit është dhe transparenca dhe ky ishte një propozim i stafit të medias, pavarësisht rrjeteve të tjera sociale, dhe menduam dy vajza të cilat e propozuan dhe janë pjesë e stafit, një herë në javë pse jo, të kemi mundësi të komunikojmë drejtpërdrejt me qytetarët, për t’i informuar dhe për t’i bërë pjesë të vendimmarrjes së investimeve dhe të gjitha vendimeve që merr Bashkia e Kamzës.
Edi Rama: Kur të krijua fiksimi, se nuk është se të shkoi mendja kur të takova unë?
Rakip Suli: Në politikë kur je me njerëzit 5 vite para se isha pjesë e biznesit dhe kisha filluar investimet e mia që të bëja prezent emrin tim. Nga 2006-2007, unë një ditë do jem kryetari i Bashkisë së Kamzës, por nuk do ishte e mundur nëse ti nuk do më jepje këtë mundësi.