Raporti: Sa hektarë tokë shtetërore është tjetërsuar në bregdet, edhe pse e pamundur te rimerret…
Raporti i Task Forcës, që bëri verifikimin e pronave në bregdet, tregon se bregdetit shqiptar i janë marrë padrejtësisht 50 mijë hektarë tokë shtetërore, nga ku një pjesë është tjetërsuar me dokumente false, dhe pjesa tjetër është privatizuar pa dokumentacion.
Raporti, i cili ofrohet nga Top Channel tregon se pjesa më e madhe e këtyre tokave, pra flitet për 40 mijë hektarë, është e pamundur të rimerren më nga shteti. Kjo për shkak se janë dhënë me vendime gjyqësore, edhe pse nuk kanë patur dokumente të rregullta. Ndërkohë, për pjesën tjetër të tokave, pra për 10 mijë hektarë, që është marrë me dokumente të falsifikuara, autoritetet shtetërore do të nisin procedurat për rishtetëzimin.
Sipas Task Forcës, situata rezulton problematike në të gjithë vijën bregdetare të jugut, veçanërisht në Vlorë, Dhërmi por edhe Sarandë ku tokat shtetërore janë privatizuar në mënyrë të paligjshme.
Verifikimi është bërë përgjatë periudhës 2014-2015. Pak ditë më parë qeveria miratoi një vendim, i cili pezullon plotësisht dhënien e titujve të pronësisë për tokat në bregdet deri në një afat të pacaktuar.
Sipas qeverisë, synimi është që pronat e privatizuara në mënyrë joligjore të rimerren nga shteti për t’u përdorur në investimet strategjike. Por, kjo nismë është kundërshtuar nga opozita sepse e sheh si një tentativë të qeverisë për të grabitur tokat e bregdetit./ZgjohuShqiptar.info